Skip to content
Kryesore

“Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën”, ministrja serbe trondit rajonin! Serbia e mbrojti, BE e dënoi, po Shqipëria çfarë duhet të bënte?

· 6 min lexim

Një deklaratë e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezana Paunoviç, ka rikthyer në vëmendje retorikën më të errët të luftërave në Ballkan dhe ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, Shqipëri, Bashkimin Europian dhe më gjerë.

Paunoviç deklaroi publikisht se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” që në vitin 1998.

Deklarata u konsiderua si një justifikim i hapur i spastrimit etnik, një nga krimet më të rënda sipas së drejtës ndërkombëtare, duke hapur menjëherë debatin nëse Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, po largohet apo po i rikthehet frymës së viteve ’90.

Reagimi më i fortë ndërkombëtar erdhi nga ish ministri gjerman për Europën, Michael Roth, i cili ngriti një pyetje që vë në diskutim vetë procesin e integrimit europian të Serbisë.

“Një ministër serb fantazon hapur për ‘spastrimin etnik’ të Kosovës. Dhe pothuajse nuk ka asnjë kundërshtim në politikë apo në shoqëri.

Si është e mundur që një vend të anëtarësohet në BE në këtë mënyrë? Urrejtja dhe nacionalizmi nuk ndërtojnë partneritet. Kjo është thjesht e trishtueshme dhe frustruese”, shkroi Roth.

Por çfarë ndodhi realisht pas deklaratës? A e dënoi Serbia? Çfarë bëri Bashkimi Europian? Dhe a ishte i mjaftueshëm reagimi i Shqipërisë?

Serbia nuk u distancua, përkundrazi mbrojti ministren

Pavarësisht jehonës ndërkombëtare, qeveria serbe nuk doli me asnjë deklaratë zyrtare që të distancohej nga fjalët e ministres.

As presidenti Aleksandar Vuçiç dhe as kryeministri nuk dënuan publikisht deklaratën.

Përkundrazi, një nga figurat më të rëndësishme të qeverisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm Ivica Daçiç, doli në mbrojtje të Paunoviçit, duke i cilësuar kritikat ndaj saj si “hipokrizi” dhe duke tentuar ta zhvendoste debatin te ngjarjet në Kosovë.

Edhe vetë Paunoviç nuk kërkoi falje dhe nuk u tërhoq nga deklarata. Ajo deklaroi se nuk hiqte dorë nga politikat dhe strategjitë e Partisë Socialiste të Serbisë të viteve ’90.

Kjo do të thotë se, në nivel qeveritar, Serbia nuk e kundërshtoi deklaratën.

Megjithatë, nuk mund të thuhet se e gjithë Serbia heshti.

Disa parti opozitare, organizata të shoqërisë civile dhe deputeti shqiptar Shaip Kamberi kërkuan shkarkimin e ministres, ndërsa parti të opozitës serbe e cilësuan deklaratën të papranueshme dhe kërkuan edhe ndërhyrjen e prokurorisë.

Pra, kundërshtimi erdhi nga opozita dhe shoqëria civile, jo nga qeveria.

Çfarë duhej të kishte bërë Serbia?

Në një shtet që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, reagimi normal institucional do të kishte qenë krejt tjetër.

Së pari, presidenti dhe kryeministri duhej të distancoheshin menjëherë nga deklarata dhe të sqaronin publikisht se dëbimi i një populli mbi bazën e përkatësisë etnike nuk përfaqëson politikën e shtetit serb.

Së dyti, ministrja duhej të largohej nga detyra ose të paktën t’i kërkohej dorëheqja.

Një ministre që shprehet se do të kishte dëbuar shqiptarët vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike vështirë se mund të pretendojë se garanton barazi për të gjithë qytetarët.

Së treti, Prokuroria serbe duhej të shqyrtonte nëse deklarata përbënte nxitje të urrejtjes etnike, pasi Kodi Penal i Serbisë parashikon përgjegjësi për nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës kombëtare.

Po ashtu, institucionet serbe për mbrojtjen nga diskriminimi duhej të hapnin procedurat përkatëse dhe qeveria duhej të jepte garanci publike për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Asnjë nga këto nuk ndodhi.

Reagimi i Bashkimit Europian

Bashkimi Europian reagoi përmes zëdhënëses së Komisionit Europian, Anitta Hipper.

Ajo deklaroi se në Europë nuk ka vend për retorikë që promovon apo justifikon spastrimin etnik dhe se deklarata bie ndesh me vlerat europiane, dinjitetin njerëzor dhe pajtimin mes popujve.

Edhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se nuk mund të ketë vend në procesin e integrimit europian për gjuhë të tillë urrejtjeje.

Megjithatë, deri tani reagimi i Brukselit ka mbetur në nivel deklarativ.

Nuk është bërë publike ndonjë kërkesë zyrtare për shkarkimin e ministres, nuk është njoftuar ndonjë masë konkrete ndaj Serbisë dhe as nuk është vendosur ndonjë kusht i ri në procesin e negociatave.

Në praktikë, BE e dënoi deklaratën, por nuk e shoqëroi këtë me pasoja politike.

Kosova ndërmori masën më të fortë

Ndryshe nga Serbia dhe Bashkimi Europian, Kosova reagoi menjëherë.

Autoritetet në Prishtinë e shpallën Snezana Paunoviç person “non grata“, duke i ndaluar hyrjen dhe kalimin në territorin e Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, argumentoi se deklarata përfaqëson të njëjtën logjikë që solli krimet dhe spastrimin etnik gjatë luftës në Kosovë.

Ky ishte reagimi më i fortë institucional i ndërmarrë deri tani ndaj ministres serbe.

Po Shqipëria?

Edhe Shqipëria reagoi.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, dënoi publikisht deklaratën e Paunoviçit.

Por përtej këtij qëndrimi politik, nuk është bërë publike ndonjë paketë masash diplomatike ndaj Serbisë.

Nuk rezulton që ambasadori serb të jetë thirrur në Ministrinë e Jashtme për një notë proteste.

Nuk rezulton një kërkesë zyrtare drejtuar Beogradit për distancim apo shkarkim të ministres.

Nuk është shpallur “non grata” nga Shqipëria dhe nuk është njoftuar ndonjë nismë e përbashkët diplomatike me Kosovën.

Çfarë mund të kishte bërë Shqipëria?

Nga pikëpamja diplomatike, Shqipëria kishte disa instrumente në dispozicion.

Masa e parë do të ishte thirrja e ambasadorit serb në Tiranë dhe dorëzimi i një note proteste zyrtare.

Më pas, Tirana mund t’i kërkonte zyrtarisht qeverisë serbe të distancohej nga deklarata, të sqaronte nëse ajo përfaqëson politikën shtetërore dhe të merrte masa ndaj ministres.

Një tjetër mundësi ishte shpallja e Snezana Paunoviçit person “non grata”, ashtu siç bëri Kosova.

Në deklaratën e saj, ministrja serbe fliste për dëbimin e shqiptarëve drejt “shtetit amë”, pra drejt Shqipërisë.

Në këtë mënyrë, deklarata nuk prek vetëm Kosovën, por përfshin drejtpërdrejt edhe Shqipërinë.

Gjithashtu, Tirana mund të koordinonte një qëndrim të përbashkët me Kosovën dhe përfaqësuesit shqiptarë në Luginën e Preshevës, si dhe t’i kërkonte Bashkimit Europian që rasti të merrej në konsideratë në procesin e negociatave të Serbisë për anëtarësim.

Edhe Kuvendi i Shqipërisë mund të miratonte një rezolutë të përbashkët që dënonte deklaratën dhe kërkonte masa konkrete nga Beogradi.