Ish kryeministri britanik Tony Blair, i konsideruar prej vitesh si një figurë mbështetëse e Kosovës, akuzohet se është shndërruar në një këshilltar të interesuar financiarisht, i lidhur ngushtë me kryeministrin Edi Rama. Sipas akuzave, ai ka luajtur rol në plane politike që lidhen me ndryshime kufijsh në Ballkan dhe në forcimin e pushtetit të Ramës dhe të presidentit serb përmes zhvillimeve që prekin Kosovën.
Këto deklarata u bënë nga diplomati Agim Nesho, i ftuar në emisionin Çim Peka Live në SYRI TV. Nesho tha se marrëdhënia mes Ramës dhe Blair përfaqëson një nga lidhjet më problematike dhe të dyshimta politike të viteve të fundit në Shqipëri.
Sipas tij, Blair është shndërruar në këshilltarin real të pushtetit të Ramës, duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në vendime kyçe të qeverisë shqiptare. Nesho shtoi se në prapaskenë, ish kryeministri britanik ka përfituar financiarisht përmes kontratave konsulence dhe kompanive të lidhura me të dhe familjen e tij.
Diplomati theksoi se kjo aleancë nuk ka kontribuar në forcimin e shtetit ligjor apo të demokracisë në vend. Sipas tij, ajo ka shërbyer për konsolidimin e pushtetit personal të Edi Ramës, duke ndërtuar një rrjet ndikimi që ka dëmtuar interesat kombëtare dhe ka thelluar kapjen e shtetit.
Pjesë nga deklarata:
Këto janë evidenca që edhe shtypi anglez i ka përmendur. Kam parasysh vitin 2011; The Guardian thoshte se merrte 20 milionë dollarë nga një llogari bankare në Emiratet e Bashkuara, të cilat i siguruan një këshillim për serbët dhe për mongolezët dy qeveri të cilave ai u jepte këshilla. Më vonë, ky u duk si këshilltari kryesor i qeverisë shqiptare dhe gjatë kësaj periudhe, pavarësisht pretendimeve të zotit Rama që thoshte se këshillonte pa pagesë, ai ka marrë, domethënë, nga të gjitha anët ka përfituar gjëra që kanë lënë gjurmë, jo ato që i ka marrë fshehurazi. Edhe kjo është diçka, sepse në një farë mënyre, në thonjëza, i ka dhënë shpirtin shejtanit për lekë.
Ai që ka qenë negociatori kryesor me amerikanët për të bërë të mundur lëshimin për ta, për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Domethënë, një njeri që pretendonte se çliroi Kosovën ishte arkitekti për të mbajtur në pushtet Vuçiçin dhe Ramën, duke bërë atë copëtimin e Kosovës për t’ua dhënë të dyve që të plotësonin aspiratat nacionaliste dhe krenarinë për të mbetur në pushtet. Kjo dihet nga takimi i 31 korrikut të vitit 2019. Ai takoi sekretarin Pompeo. Më vonë, një ditë më vonë, takoi bashkë me sekretarin e Shtetit Pompeo në OKB Vuçiçin, dhe së bashku me Vuçiçin më vonë kanë shkuar në Këshillin e Atlantikut në Chicago për të dhënë leksionin e tyre se çfarë duhej të ndryshonte në Ballkan.
Nga ana tjetër, Tony Bleri ka vepruar dhe ka shfrytëzuar dobësitë e karakterit të Edi Ramës, duke e njohur mirë që është një sharllatan i cili shet interesat e vendit të tij vetëm për të mbetur në pushtet. Sa i përket çështjes së Gazës, dihet se para dy vjetëve ka disa shkrime, dhe Capital-i këtu i ka evidentuar dy kompani: një kompani gjermane, domethënë Boston Consulting, dhe një kompani tjetër që është një nga ish-ortakët e Cherie Blair-it, të cilat kanë marrë fonde të konsiderueshme nga qeveria shqiptare. Boston Consulting, sigurisht, për ta këshilluar një qeveri të korruptuar deri te, nga maja e kokës deri te këmbët, siç është qeveria e Edi Ramës, për të këshilluar se si mund të luftohet korrupsioni në Shqipëri. Nuk ka asnjë rezultat; nuk dimë asgjë. Vetëm dimë një gjë: se Tony Bleri është pranuar në projektin e Gazës për arsye se dy punonjës të tij kanë punuar me Boston Consulting.
Domethënë, Rama dhe Tony Bleri janë aq të lidhur në shumë afera, duke filluar nga afera dhe futja në Shqipëri për dy vjet e shoqërisë së doganës, Crown Agency, Agjencia e Kurorës, që merret me doganat, dhe të tjera. Sa i përket zonjës Blair, firma e saj është konsulente kryesore e qeverisë dhe paguhet deri tani me miliona dollarë për çështjen e detit me Greqinë. Për çështje të tjera, disa i dimë e disa jo, por këto janë, domethënë, kanalet ku Tony Bleri mbledh të gjitha ato influenca që i ushtron në Shqipëri.
Duke përfunduar, zoti Peka, dua të them se pikërisht ky është ai që po i mohon Shqipërisë rrugën demokratike dhe mungesën e shtetit ligjor. Një njeri që e konsulton për hir të parave dhe që, ato që janë evidentuar sot, tregojnë se është bërë një element i papëlqyeshëm në shoqërinë shqiptare, duke hequr të gjitha nostalgjitë që kemi parë dhe kemi vlerësuar për kontributin e tij së bashku me Klintonin për çështjen e shpëtimit të Kosovës. Me veprimet që ka bërë, ka bërë gjërat e kundërta në Shqipëri.








