Skip to content
Aktualitet

Digjet makina luksoze e Elis Bahushit në Elbasan, kush është biznesmeni i përfshirë në laboratorin e heroinës në Has

· 2 min lexim

Mbrëmjen e djeshme, është djegur pjesërisht në Elbasan, makina e biznesmenit Elis Bahushi.

Makina e tipit ‘Porsche’, me targë AA 007 NG, është përfshirë nga flakët.

Ajo ishte e parkuar në lagjen ’28 Nëntori’, në qytetin e Elbasanit.

Mjeti ka pësuar dëmtime vetëm në anën e djathtë. Dyshimet e para janë për një zjarrvënie të qëllimshme.

Pronari i mjetit është Elis Bahushi, një emër i njohur për policinë

Në 22 tetor të 2018, ai ishte një nga të arrestuarit për laboratorin e përpunimit të heroinës në Has.

Përgjimet zbuluan se ai ishte i lidhur me grupin e Avdylajve nga Shijaku.

Dyshohet se, Bahushi ka pasur rolin e transportuesit të lëndës narkotike dhe përbërësve të saj nga Turqia drejt vendit tonë.

Gjithashtu, OFL i ka kërkuar më 18 gusht Bahushit deklarimin e pasurisë. Më herët ai është dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Elis Bahushi është tregtar i metrazheve dhe një prej biznesmenëve të njohur në Elbasan, pronar i një kompleksi gjigant bar dhe restorant në lagjen “28 nëntori” dhe i disa dyqaneve në lagjen “Hekurudha”.  Sakaq, ai ka në pronësi një sërë makinash luksoze.