Ndeshja miqësore mes Elbasanit dhe Pogradecit, e zhvilluar të shtunën në stadiumin “Elbasan Arena”, u shndërrua në një incident të turpshëm, pasi përfundoi me përplasje fizike mes futbollistëve dhe stafit të të dy ekipeve.
Takimi përfundoi në barazim 2-2, por tensionet mes lojtarëve nisën menjëherë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit.
Ajo që fillimisht ishte një debat verbal, shpejt degjeneroi në një sherr masiv, ku u përfshinë jo vetëm futbollistët, por edhe stafet teknike dhe disa tifozë që zbritën nga shkallët e stadiumit.
Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me incidentin dhe nuk dihet nëse do të merren masa ndëshkuese ndaj të përfshirëve.