Dështimi i përsëritur i hapjes së Aeroportit të Vlorës dhe hetimet e SPAK për mënyrën si është dhënë koncesioni po nxjerrin në pah një problem të dyfishtë, që po godet drejtpërdrejt turizmin dhe besueshmërinë e projekteve strategjike në vend. Ndërsa aeroporti nuk arrin të hapet për të dytin vit radhazi, charterat me turistë nordikë janë anuluar, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme ka zbuluar dyshime serioze për favorizime në procedurën e dhënies së koncesionit.
Aeroporti i Vlorës nuk do të nisë fluturimet as këtë verë, pasi ende nuk ka marrë certifikimin e nevojshëm për operim. Autoritetet u kanë komunikuar këtë javë turoperatorëve se hapja është e pamundur, duke detyruar anulimin e kontratave turistike, kryesisht të tipit “allotment”, që parashikonin rezervime paraprake në hotele në zonën e Vlorës.
Elvis Kotherja, themelues i “Elite Travel Group & Elite Hospitality”, konfirmoi për “Monitor” se fluturimet e planifikuara janë anuluar, duke sjellë një goditje të drejtpërdrejtë për sezonin turistik.
“Në fakt na është konfirmuar që Aeroporti i Vlorës nuk mund të hapet sepse ende nuk kanë përfunduar gjithë procedura e nevojshme për të hyrë në operim. Infrastruktura aty është gati por ka nevojë për hapa të tjerë që të nisin fluturimet. Lajmi i keq është që nordikët që do të vendoseshin në Vlorë me fluturime nga ky aeroport kanë anuluar për këtë vit. Ishin të paktën 3 chartera në javë. Por lajmi i mirë është që autoritetet dhe ne sëbashku kemi negociuar që Shqipëria të mbetet në listën e destincioneve për vitin e ardhshëm dhe kemi marrë garancinë që do të jenë 5 chartera në javë pra respektivisht dy nga Norvegjia, një nga Finlanda, një nga Suedia dhe një nga Danimarka”.
Ky është viti i dytë radhazi që turizmi përballet me të njëjtin skenar. Edhe një vit më parë, fluturimet e planifikuara për në Vlorë u devijuan drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, ndërsa turistët u transportuan më pas me autobusë drejt jugut. Edhe këtë sezon, një pjesë e hoteleve kishin marrë pagesa paraprake, duke u bazuar në kontrata që tashmë janë në rrezik.
Në të njëjtën kohë, situata e aeroportit rëndohet edhe më tej nga përplasjet brenda vetë konsorciumit që ka marrë koncesionin, ku dy aksionerët kryesorë janë në një betejë ligjore. Ndërkohë, edhe afatet për hapjen janë shtyrë vazhdimisht, nga premtimet për qershor deri në kërkesa për shtyrje deri në shtator.
Paralelisht me këtë dështim operacional, një tjetër dimension i rëndë del nga hetimet e SPAK. Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, ka dyshime se procesi i dhënies së koncesionit është manipuluar për të favorizuar bashkimin e kompanive “Mabco Costruksion”, “Yda Group” dhe “2A Group”.
Hetimet kanë nisur pas kallëzimit të kompanisë “Al-De corporation LTD”, ndërsa pas pesë vitesh, SPAK konkludon se anëtarët e komisionit të koncesionit nuk kanë konstatuar mungesat serioze në dokumentacionin e operatorëve fitues dhe i kanë kualifikuar në kundërshtim me rregullat e procedurës.
Sipas SPAK, bashkimi i kompanive nuk ka dorëzuar dokumentacionin e plotë të kërkuar, përfshirë prokurën e përfaqësimit, bilancet dhe raportet e auditimit për vitet përkatëse. Konkretisht, “2A Group” nuk ka dorëzuar dokumentacion për vitin 2016, ndërsa “Mabatex” për vitin 2019.
Gjithashtu, mungon dokumentacioni për përfituesit përfundimtarë të aksioneve nga kompanitë “Mabco Costruksion” dhe “Yda Group”, duke mos sqaruar strukturën reale të pronësisë.
Probleme janë konstatuar edhe në kriteret teknike. Një nga kërkesat kryesore ishte që një prej kompanive të kishte realizuar ndërtimin e pistave, terminaleve dhe kullës së kontrollit ajror në periudhat e përcaktuara. Por sipas SPAK, këto kritere nuk janë përmbushur. Dokumentacioni i paraqitur nga “Mabco Costruksion” për aeroportin në Astana nuk provon ndërtimin e kullës së trafikut ajror, duke mbetur vetëm në nivel konfirmimi me një letër.
Për këtë çështje, Prokuroria e Posaçme ka komunikuar akuzën për “shkelje të barazisë në tendera” ndaj 7 anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit, pasi dyshohet se kanë favorizuar kompanitë në shpalljen e tyre si fituese.
Kjo situatë krijon një panoramë të qartë të krizës: nga njëra anë një aeroport që nuk hapet dhe po i kushton turizmit humbje konkrete, dhe nga ana tjetër një proces koncesioni nën hetim për shkelje serioze. Pasojat tashmë janë të prekshme, me chartera të anuluara, kontrata të prishura dhe një sezon turistik që nis me pasiguri të madhe për një nga zonat më të rëndësishme bregdetare të vendit.








