Skip to content
Kosovë

Dështon edhe tentativa e 22-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

· 1 min lexim

Tentativa e 22-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish, duke thelluar më tej ngërçin institucional që vijon prej 15 prillit.

Në seancën e fundit ishin të pranishëm 109 deputetë, por procesi u ndërpre pasi mungoi kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Vetëm 54 deputetë votuan pro krijimit të komisionit për votimin e fshehtë, një ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.

Pas përfundimit të votimit, kryesuesi i seancës Avni Dehari njoftoi shtyrjen e saj për datën 29 maj në orën 11:00.

Ndërkohë, propozimi për votimin e fshehtë, që u hodh për herë të parë më 1 maj, është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga partitë parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje vijon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, por kjo zgjedhje nuk gjen mbështetje nga partitë e tjera, të cilat kërkojnë një figurë konsensuale.

Megjithë thirrjet për kompromis, qëndrimet mbeten të pandryshuara, duke e mbajtur të bllokuar procesin parlamentar.