Deklarata e fortë e deputetes Marjana Koçeku ndaj Bajrave të Shkodrës ka sjellë reagime politike dhe institucionale, vetëm pak ditë pasi ajo njoftoi largimin nga Partia Socialiste dhe kalimin si deputete e pavarur.
Koçeku mungoi në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, por mesazhi i saj publik drejtuar Bajrave u kthye në çështje diskutimi.
View this post on Instagram
Deputetja e PD, Albana Vokshi, ngriti shqetësimin se nëse krimi i organizuar mund të kërcënojë një deputete, atëherë qytetarët e thjeshtë janë edhe më të pambrojtur.
“Nëse krimi i organizuar është në gjendje të ushtrojë kërcënime ndaj një deputeteje, një gruaje, atëherë çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë. Çfarë garancie kanë qytetarët e zakonshëm, dhe ky nuk është problem vetëm i rendit publik, por është një çështje që prek drejtpërsëdrejti integrimin e BE”, tha Vokshi.
Përgjigjja erdhi nga kryetari i Komisionit, Igli Hasani, që njëherësh përbën edhe reagimin e parë të PS për këtë çështje. Hasani tha se çdo person që ndihet i kërcënuar duhet t’i drejtohet Policisë së Shtetit, ndërsa shtoi se deklaratat në Instagram nuk janë çështje që i takojnë atij.
“Kushdo që ndihet e kërcënuar, kushdo që ka indicie duhet t’i drejtohet organeve, Policisë së Shtetit, nëse ka edhe një indicie. Se kush zgjedh instagramin për të bërë deklarata, kjo nuk është puna ime fare. Duhet ti drejtohen policisë së Shtetit”, tha Hasani.
Ndërkohë, A2 ka kërkuar informacion pranë Policisë së Shkodrës nëse deputetja e këtij qarku kishte bërë denoncim për ndonjë kërcënim. Sipas Policisë, “as Marjana Koçeku dhe as familjarët e saj nuk kanë bërë denoncim për kërcënim në polici”.
Reagimi erdhi pasi Koçeku publikoi një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Bajrave të Shkodrës, duke nënkuptuar se ajo dhe familjarët e saj ishin kërcënuar.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkroi ajo.
Deklarata ka marrë më shumë peshë për shkak të zhvillimeve të fundit politike. Pak ditë më parë, Marjana Koçeku braktisi Partinë Socialiste dhe njoftoi se do të vijojë mandatin si deputete e pavarur, një lëvizje që ka shkaktuar debate të forta brenda radhëve të socialistëve.








