Aksioni i bujshëm për “çlirimin” e hapësirave publike në Tiranë po rezulton një mashtrim i pastër propagandistik. Në Njësinë 5, ngjitur me shkollën “Petro Nini Luarasi”, realiteti i sotëm tregon qartë se gjithçka ishte një shfaqje për kamera dhe jo një ndërhyrje reale në interes të qytetarëve.
Vetëm pak javë pasi fadromat u përdorën si simbol i “shtetit në veprim”, hapësira që u paraqit si e çliruar është rikthyer sërish në funksionin e vjetër. Parkingu me pagesë nuk është zhdukur. Ai thjesht ka ndryshuar formë. Në vend të një kioske, sot pagesat mblidhen nga disa persona që qëndrojnë aty çdo ditë, duke kontrolluar hapësirën sikur të ishte pronë private.
![]()
Banorët nuk panë asnjë ndryshim real. Nuk u krijua asnjë hapësirë e gjelbër, asnjë kënd për fëmijët, asnjë trotuar i lirë për nxënësit e shkollës. I vetmi rezultat i aksionit është fakti që një aktivitet i paligjshëm vijon normalisht, ndërsa bashkia pretendon se ka “çliruar” territorin.
Ky rast nxjerr zbuluar modelin e veprimit të Bashkisë së Tiranës. Aksione të zhurmshme, pamje të kuruara për media dhe deklarata triumfaliste, që në praktikë nuk prodhojnë asnjë ndryshim. Ajo që shembet sot, rikthehet nesër, shpesh në forma më të fshehura, por me të njëjtin qëllim: përfitimin mbi hapësirën publike.
E njëjta skemë po përsëritet në disa zona të kryeqytetit. Struktura që dikur ishin të dukshme dhe të lehta për t’u identifikuar, zëvendësohen me forma të tjera më informale, por po aq abuzive. Ndryshon fasada, por jo thelbi i problemit.
Rasti i “Petro Ninit” është një provë e qartë se “çlirimi” i hapësirave publike nuk ka qenë reformë, por propagandë. Në terren, ligjin nuk e vendos shteti, por individë që operojnë lirshëm, ndërsa institucionet bëjnë sikur nuk shohin.
Qytetarët mbeten sërish humbësit. Hapësira publike vazhdon të shfrytëzohet për fitim privat, ndërsa bashkia vijon të shesë si sukses një realitet që është i dukshëm për të gjithë: asgjë nuk ka ndryshuar.








