Skip to content
Politikë

Çfarë po ndodh?/Deputetët i ngrihen në këmbë Spiropalit

· 2 min lexim

Seanca plenare e Kuvendit ka përjetuar një moment tensioni të lartë, ku deputetët e opozitës, të udhëhequr nga Gazment Bardhi, janë ngritur në këmbë dhe janë afruar drejt kryeparlamentares Elisa Spiropali.

Tensionet kanë shpërthyer pas ndërprerjes së fjalës së deputetëve nga Spiropali, e cila ka pretenduar se ata nuk po i përmbaheshin rendit të ditës. Kjo ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm nga ana e opozitës.

I pari që u ngrit në këmbë dhe u afrua drejt foltores ishte Gazment Bardhi, pas tij u bashkuan edhe deputetët Elda Hoti, Dashnor Sula dhe Albana Vokshi.

Një moment tjetër kryeparlamentarja ka ndaluar deputetën Elda Hoti të flasë, duke argumentuar se ndërhyrja e saj nuk ishte për procedurë.

Për të parandaluar një përshkallëzim të situatës, punonjësit e Gardës janë afruar për të mbajtur rendin, por kryeparlamentarja Spiropali i ka kërkuar atyre të largohet, duke deklaruar:

“Nuk intimidoni askënd, nuk ka nevojë për Gardën e Republikës”. Ky qëndrim i Spiropalit ka theksuar se ajo po e mbante situatën nën kontroll dhe nuk kishte asnjë nevojë për forcën e Gardës.

Pas këtij tensioni, deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka vijuar fjalën e saj, duke shprehur qëndrimin e opozitës dhe duke kërkuar që të nderohej e drejta e folësve.