Çdo javë 5 automjete/ Pse digjen makinat në Shqipëri? Ekspertët zbulojnë gabimet e zakonshme të shoferëve

Gjatë verës, nuk janë të pakta rastet kur në rrugët interurbane shihen automjete të përfshira nga flakët, pa ndonjë lidhje me ngjarje kriminale. Sipas statistikave të Policisë së Shtetit, mesatarisht 5 automjete në javë digjen si pasojë e defekteve teknike, që mund të shkrumbojnë mjetin në pak sekonda dhe të rrezikojnë jetën e drejtuesit apo pasagjerëve.
Eksperti i mjeteve motorike, Fadil Lukaj, thekson se kjo është një shifër e lartë në raport me numrin e automjeteve që qarkullojnë në Shqipëri. Ai nënvizon disa gabime të zakonshme që kryejnë drejtuesit e mjeteve:
“Duhet shmangur nxehja e tambureve nga frenimi i vazhdueshëm. Kur bëhet ndërrimi i vajrave dhe lubrifikantëve, duhet të lahet motori. Gjatë verës, motorët me naftë marrin zjarr nga bllokimi i filtrit partikular. Një tjetër shkak është edhe riparimi i sistemeve elektrike në servise të pacertifikuara”, shprehet Lukaj.
Zjarret ndodhin më së shumti në orët e mëngjesit ose në momentin e ndezjes së makinës, çka sinjalizon mungesën e mirëmbajtjes periodike dhe përdorimin e pjesëve jo origjinale apo të instalimeve të pasigurta elektrike.
Për të shmangur ngjarje të tilla, rekomandohet kontroll teknik i rregullt dhe verifikimi nëse mjetit i janë hequr sisteme sigurie nga përdoruesit e mëparshëm apo janë bërë instalime të pasakta.
Një masë parandaluese praktike është edhe mbajtja e një fikse zjarri 6 kg brenda automjetit, në mënyrë që në rast emergjence të minimizohen dëmet.