Skip to content
Kryesore

Bypass-i i Vlorës, banorët e Kaninës në protestë: Nënkalimi jashtë standardeve, nuk kalon as ambulanca!

· 2 min lexim

Banorët e fshatit Kaninë në Vlorë kanë vijuar edhe këtë të martë protestat për të shprehur pakënaqësinë ndaj mënyrës së zhvillimit të punimeve për bypass-in e qytetit të Vlorës.

Ata ankohen për vendosjen e një tubi me lartësi shumë të ulët në hyrje të parcelave të tyre bujqësore, i cili lejon vetëm kalimin e këmbësorëve, duke penguar hyrjen e mjeteve të tonazhit të rëndë, përfshirë automjetet bujqësore, zjarrfikëset dhe ambulancat.

Banorët theksojnë se kjo situatë krijon një rrezik serioz për sigurinë e jetës së tyre, veçanërisht për familjet dhe të moshuarit që jetojnë pranë zonës së ndërtimit.

Njëri prej tyre tha se mungesa e aksesit në pronat dhe pamundësia për kalimin e mjeteve të nevojshme përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë:

“Këtu jetojnë familje dhe të moshuar që çdo ditë dalin nëpër ullinj, por nuk kanë rrugë kalimi. Mjetet e mëdha nuk mund të hyjnë fare. Është e papranueshme dhe kërkojmë zgjidhje urgjente. Protestat do të vazhdojnë deri në zgjidhjen e problemit.”

Një tjetër banor kërkoi që projekti i mbikalimit të rishikohet dhe të ndërtohet me një lartësi më të madhe, që të mundësojë kalimin e automjeteve emergjente dhe bujqësore.

“Mbikalimi që po ndërtohet tani është shumë i ulët dhe nuk përmbush nevojat tona. Kjo zonë ka perspektivë zhvillimi, ndaj duhet të planifikohet si duhet për kalimin e automjeteve të zjarrfikësve dhe ambulancave,” tha ai.

Banorët i bëjnë apel autoriteteve të ndërhyjnë sa më shpejt për të gjetur një zgjidhje teknike që të sigurojë aksesin e lirë në pronat e tyre dhe të garantojë sigurinë e komunitetit gjatë dhe pas përfundimit të punimeve.