Gëzimi i kryeministrit Edi Rama për përfshirjen e tij në të ashtuquajturin “Bord i Paqes” u paraqit si një ngjarje historike për Shqipërinë. Rama shkroi se ishte “shumë i nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për ta përfaqësuar Shqipërinë”, duke e shitur këtë si dëshmi respekti dhe peshe ndërkombëtare për vendin.
Në të vërtetë, nuk kemi të bëjmë me asnjë arritje shtetërore. Nuk është institucion ndërkombëtar, nuk ka mandat, nuk ka rol vendimmarrës dhe nuk përfaqëson Shqipërinë. Është thjesht një ftesë personale, simbolike, që po shitet qëllimisht si sukses kombëtar.
Administratat amerikane, përfshirë atë të Donald Trump, nuk funksionojnë mbi besnikëri apo vlerësim moral, por mbi përputhje interesash. Bashkëpunojnë me këdo që u shërben në një moment të caktuar. Kaq.
Në këtë histori nuk është i parëndësishëm roli i Tony Blair, i cili prej vitesh ka lidhje të ngushta me Ramën dhe qeverinë shqiptare. Instituti i tij e ka trajtuar Shqipërinë si terren eksperimental për projekte të dyshimta, ndërsa kompania private e bashkëshortes së Blair ka pasur kontrata të fshehta me shtetin shqiptar, duke ngritur dyshime serioze për konflikt interesi.
Prandaj, përfshirja e Ramës në këtë “bord” nuk është vlerësim ndërkombëtar, por produkt i rrjeteve të lobimit dhe interesave private. Nuk i shërben paqes, nuk i shërben Shqipërisë. I shërben vetëm propagandës së brendshme.
Qytetarët meritojnë ta dinë këtë dallim. Sepse ajo që po shitet si arritje kombëtare është thjesht lobim personal, i paketuar bukur për publikun.







