Skip to content
Të Gjitha

Bordi bën një “sy qorr” ndaj bursës! Rritet çmimi i naftës dhe benzinës në vend

· 2 min lexim

Sërish ka ndryshuar çmimi i karburanteve në vend, teksa një vendim i ri vjen nga Bordi i Transparencës.  Deri në mbledhjen e ardhshme, nafta do të shitet jo më shumë se 252 lekë/litri dhe benzina jo më shumë se 241 lekë/litri. Ndërkohë që çmimi i gazit nuk ka ndryshuar.

Vlen të theksojmë se Bordi i Transparencës është ‘shigjetuar’ shpesh  për vendimet e tij, pasi as edhe njëherë të vetme nuk ka reflektuar çmimin me të cilin karburantet shiten në bursë.  Ditën e sotme në bursë një fuçi naftë shitet me 108 dollarë, por Bordi bën “një sy qorr” dhe vazhdon me standardet e tij.

Vendimi i Bordi i Transparencës në datë 5 Korrik 2022:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 252 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 240 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 241 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 229 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me pakicë 69 Lekë /litri.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 5 Korrik ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.

Vendimi i ri hyn në fuqi sot në orën 18.00 dhe do të jetë i vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Vendi ynë si shumë vende të tjera po përballet prej muajsh tashmë me rritje të çmimeve të hidrokarbureve dhe produkteve të shportës ushqimore, si pasojë e luftës në Ukrainë, e cila nisi më 24 shkurt.