Skip to content
Aktualitet

Bllokohet Korça/ Probleme me energjinë elektrike, ja sa cm ka vajtur trashësia e borës

· 2 min lexim

Reshjet e borës kanë bllokuar një tjetër qytet. Pas Elbasanit dhe në Korçë reshjet kanë vijuar në mënyrë intensive, të shoqëruara me erë, ndërsa temperaturat gjatë mbrëmjes kanë shkuar deri në minus 10.

Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë janë bllokuar disa fshatra në qarkun e Korçës. Të bllokuar janë gjithashtu dhe disa fshatra në njësinë administrative Gorë e Moglicë si dhe fushën e Maliqit ku trashësia varion nga 30-70 cm.

Trashësia më e madhe e borës është në Mashkullorë, mbi 2 m borë, ndërsa në fshatin Panarit situata është vështirësuar edhe më tepër për 200 banorët të cilët vijojnë të jenë të izoluar prej fillimit të janarit.

Sa i takon furnizimit me energji elektrike ka probleme në njësitë administrative Proptisht, Homezh, Slabinjë, Homcani, por dhe ne bashkinë e Devollit në fshatrat Tren e Bitinckë.

Kujtojmë se dhe në akset nacionale është paraqitur një situatë e rënduar, ku më problematiku mbetet ai në Lezhë. Prej disa orësh tashmë, qindra makina janë bllokuar dhe iu është dashur të kalojnë natën në kushte të kqija atmosferike.

Trashësia e borës momentalisht në disa zona të Korçës:

Velçan trashësia e borës deri në 70 cm

Dardhas trashësia e borës nga 90 cm -1 m
Trebinjë trashësia e dëborës nga 40 -70 cm
Proptisht trashësia e dëborës nga 60-70 cm