KLGJ sfidon KPP-në: Tenderi 10 milionë euro i shkon sërish Beqirit dhe Gjiknurit
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zgjedhur të injorojë vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik, duke shpallur përsëri fituese kompanitë “Soft & Solution” dhe “Kreatx” në tenderin prej 10 milionë eurosh. Kjo, pavarësisht se KPP pranoi ankesën e “Advanced Business Solution”, e cila kishte ofruar 1.2 milionë euro më pak dhe plotësonte të gjitha kriteret ligjore. Në datën 20 gusht 2025, KLGJ konfirmoi si fitues Ermal Beqirin dhe Panajot Gjiknurin, duke shpërfillur hapur institucionet e mbikëqyrjes dhe duke ringjallur dyshimet për një marrëveshje të mbyllur brenda mazhorancës.
Në qendër të kësaj skeme qëndron kompania “Soft & Solution” e Ermal Beqirit, një prej emrave më të lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Beqiri ka fituar kontrata të shumta pranë këtij institucioni dhe prej vitesh shihet si përfitues i preferuar i tenderave teknologjikë. Vetëm në vitin 2023, kompania e tij raportoi 18.7 milionë euro të ardhura dhe 11.2 milionë euro fitim neto, një marzh prej 60% që ka shtuar dyshimet për tendera të fryrë dhe lidhje të forta politike.
SPAK ka ndërmarrë kontrolle në ambientet e “Soft & Solution”, duke sekuestruar dokumente mbi kontratat me institucione shtetërore, veçanërisht ato me AKSHI-n. Hetimi është i lidhur me dosjen e gjerë ndaj Ergys Agasit, ish-drejtorit të kabinetit të kryeministrit, i dyshuar për ndikim të paligjshëm në ndarjen e tenderave. Beqiri përmendet si një nga përfituesit kryesorë të këtij rrjeti, duke u shndërruar në një aktor qendror të sistemit klientelist që ka zaptuar sektorin e teknologjisë.
AKSHI, që prej më shumë se një dekade drejtohet nga Mirlinda Karçanaj, ka ndërtuar një mekanizëm të centralizuar ku tenderat shpërndahen rregullisht te të njëjtat kompani. Pavarësisht deklaratave triumfale për “Diella-n” dhe “e-Albania-n”, raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulojnë miliarda lekë të shpërdoruara në platforma të dështuara, sisteme të pambrojtura nga sulmet kibernetike dhe shërbime që shpesh bien nga funksioni. Skandalet e vitit 2022, kur hakerët iranianë paralizuan sistemet qeveritare, ekspozuan se institucionit i mungonte një infrastrukturë bazë sigurie.
Në këtë panoramë, “Soft & Solution” ka qenë gjithmonë në anën fituese. Kompania e Beqirit jo vetëm që ka lidhje të forta me AKSHI-n, por edhe me personazhe të politikës së lartë. Kjo nuk është hera e parë që emri i Beqirit del në skena kyçe: ai ishte një nga ekspertët që nënshkroi aktin e ekspertimit të videos Meta–Prifti, duke e cilësuar të manipuluar, çka ndikoi drejtpërdrejt në pafajësinë e Ilir Metës në Gjykatën e Lartë. Pas këtij momenti, karriera e tij në biznes mori hov, duke u kthyer në një prej milionerëve të rinj të teknologjisë në Shqipëri.
Fijet mes Beqirit dhe AKSHI-t janë sot të dukshme. Çdo kontratë e re e këtij institucioni është e kontestuar, procedurat janë bllokuar dhe SPAK po zgjeron hetimet mbi marrëdhëniet mes kompanive private dhe Agjencisë që duhej të ishte “motorri” i dixhitalizimit të Shqipërisë. Në realitet, AKSHI është shndërruar në një strukturë që riprodhon të njëjtat emra dhe shpenzon miliarda për sisteme të dështuar, ndërsa tregu i teknologjisë në vend mbetet i dobët dhe pa konkurrencë reale.
Vendimi i KLGJ-së për të rikonfirmuar Beqirin dhe Gjiknurin si fitues të tenderit 10 milionë euro, përballë një oferte më të ulët dhe një vendimi të KPP-së, është tregues i fuqisë së këtij rrjeti. Nëse tenderat e drejtësisë shkojnë te të njëjtët përfitues të AKSHI-t, atëherë qytetarët mbeten vetëm spektatorë të një loje të mbyllur, ku interesat private mbizotërojnë mbi interesin publik.
Kush gjykatës do të guxojë të rrëzojë vendimin e “qeverisë” së vet, kur vetë KLGJ është në krye të kësaj skeme?