“Bëjmë fushatë me para xhepi”, KQZ reagon pas deklaratës së Roland Bejkos

KQZ ka reaguar pas deklaratës se kandidatit të PD për Tiranën Roland Bejko ku në një intervistë në Faxnews tha se po bëjnë fushatë me lekë xhepi.
Bejko u shpreh se KQZ është vonuar në dhënien e fondeve. Sakaq në një reagim të KQZ pas deklaratës së tij në Faxnews, thuhet se fondi për zgjedhje u miratua me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë, ka hyrë në fuqi më datë 13 prill dhe i është dërguar KQZ më datë 20 prill.
KQZ sqaron se më datë 22 prill është miratuar vendimi për shpërndarjen e fondeve për zgjedhjet e 14 majit.
Reagimi i KQZ:
Duke u nisur nga disa shqetësime të raportuara nga ndonjë subjekt zgjedhor lidhur me vonesën në shpërndarjen e sasisë së fondit nga Buxheti i Shtetit që u jepet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj 2023”, KQZ sqaron se:
Fondi për zgjedhje që përfitojnë partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje u miratua me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 13.04.2023. Ligji në fjalë ka hyrë në fuqi në datën 13.04.2023 dhe i është dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në datë 20.04.2023.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve më datë 22.04.2023 ka miratuar vendimin nr. 397, “Për përcaktimin e sasisë së fondit nga Buxheti i Shtetit që do t’u shpërndahet si paradhënie partive pjesëmarrëse në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj 2023”.
Shpërndarja e fondeve partive bazuar në vendimin përkatës të Komisionerit Shtetëror bëhet direkt nga Buxheti i Shtetit./Fax News