Bashkimi Evropian po përgatit një paketë masash të reja fiskale, me qëllim goditjen e konsumit të duhanit dhe sigurimin e të ardhurave për buxhetin e ardhshëm të BE-së. Në fokus janë jo vetëm cigaret tradicionale, por edhe produktet alternative si cigaret elektronike dhe duhani i ngrohur, të cilat do të tatohen për herë të parë me norma specifike.
Sipas projektligjeve të Komisionit Evropian, akciza minimale për cigaret do të rritet me 139%, duke e çuar çmimin e një pakete nga 5 në 6.20 euro. Për purot, rritja është edhe më e lartë, me 1,090%. Cigaret elektronike do të taksohen me 0.12 deri në 0.36 euro për mililitër, ndërsa duhani alternativ me 108 euro për 1,000 copë, afërsisht gjysma e taksës për cigaret.
Nëse masat miratohen, çmimi mesatar i paketës do të rritet me 20%. Komisioni synon të frenojë konsumin, sidomos tek të rinjtë dhe shtresat më të ndjeshme. Por ekspertët paralajmërojnë rritje të tregut të paligjshëm dhe trafikimit të produkteve të lira nga vendet me taksa më të ulëta.
Paketa fiskale përfshin gjithashtu taksa mbi mbetjet elektronike për të nxitur riciklimin, tatime për kompanitë me xhiro mbi 50 milionë euro dhe tarifa mbi porositë online nga jashtë BE-së.
Ndërsa në Shqipëri? Heshtje totale
Në kontrast të thellë me veprimet e BE-së, Shqipëria nuk ka marrë asnjë masë për të frenuar përdorimin e produkteve të duhanit, përfshirë cigaret elektronike. Asnjë institucion shtetëror nuk reagoi gjatë Ditës Botërore Kundër Duhanit këtë vit. Asnjë fushatë sensibilizuese, asnjë mesazh publik dhe asnjë iniciativë për të adresuar konsumin në rritje, sidomos te të rinjtë.
Ligji shqiptar (nr. 9636, datë 6.11.2006, i ndryshuar me ligjin nr. 56/2019 dhe 92/2024) ndalon çdo formë reklamimi, promovimi apo sponsorizimi të produkteve të duhanit, përfshirë cigaret elektronike. Megjithatë, në realitet, produktet si iQOS reklamohen lirshëm në rrugët e Tiranës, në televizion, portale dhe rrjete sociale.
Këto reklama, të shpërndara në mënyrë të hapur dhe të vazhdueshme, përhapen nëpër hapësira publike përmes kontratave të dyshimta. Ato prezantohen me mesazhe që i përshkruajnë produktet si “më të sigurta” apo “më të sofistikuara”, duke shkelur hapur ligjin.
Mediat shqiptare janë bërë pjesë e kësaj shkeljeje. Shumë prej tyre jo vetëm që transmetojnë reklamat e ndaluara, por edhe përfitojnë drejtpërdrejt nga kompanitë që i shpërndajnë, duke pasur lidhje me tenderë publikë, fonde shtetërore apo sponsorizime të lidhura me pushtetin.
Këto media janë përmendur edhe në hetimet e SPAK për raste të tjera si pastrim parash, manipulim tenderash dhe ndikim mbi drejtësinë. Megjithatë, për rastin e reklamimit të ndaluar të produkteve të nikotinës, deri tani nuk ka pasur asnjë hetim konkret.
Ndërkohë, kompanitë ndërkombëtare si Philip Morris, përfaqësuesit e të cilave kanë ndërlidhje të forta me segmente të caktuara të pushtetit lokal dhe mediave, veprojnë pa pengesa. Rrjeti i promovimit të cigareve elektronike është kthyer në një infrastrukturë që krijon varësi, shkel ligjin dhe manipulojnë publikun, sidomos të rinjtë.
Rreziku i vërtetë: cigaret elektronike nuk janë të padëmshme
Studimet ndërkombëtare, përfshirë ato të botuara në Journal of the American College of Cardiology, kanë vërtetuar se pajisje si iQOS rrisin rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe dëmtime të qelizave të enëve të gjakut. OBSH ka theksuar se këto produkte nuk ndihmojnë në lënien e duhanit, por përforcojnë varësinë ndaj nikotinës.
Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, çdo ditë në Tiranë dhe qytete të tjera shqiptare, sidomos pranë shkollave dhe zonave të frekuentuara nga të rinjtë, reklamat e iQOS janë të pranishme në mënyrë agresive. Produktet shiten lirshëm, edhe për të miturit.
Në mungesë të veprimit, shëndeti publik në rrezik
Fakti që asnjë institucion nuk reagon, asnjë autoritet nuk kontrollon dhe asnjë masë nuk merret, nuk është rezultat i mungesës së ligjit, por i mungesës së vullnetit për ta zbatuar. Heshtja institucionale në këtë rast është një formë bashkëfajësie.
Në një vend ku ligji zbatohet vetëm për të dobëtit dhe ku mediat janë të kapura nga interesa financiare, qytetarët janë ata që humbasin. Përballë një industrie që helmon një brez të tërë me aprovimin e heshtur të shtetit, ky është një krim shëndetësor dhe duhet trajtuar si i tillë.