Skip to content
Bota

BE i ktheu shpinën Italisë, kërcënon Salvini: Pas koronavirusit do mendohemi për daljen nga unioni

· 2 min lexim

Ish-ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini nuk e ka pritur mirë vendimin e shteteve të BE, të cilët refuzuan idenë e koronabondit, për t’i ardhur në ndihmë Italisë.

Në një postim në Twitter, ai shkruan, se pasi të kalohet emergjenca e krijuar nga koronavirusi, Italia do të mendojë daljen nga unioni.

“Në fillim le të mundim virusin, pastaj do të mendojmë sërish për Europën. Nëse do të jetë e nevojshme do t’i themi mirupafshim, pa e menduar fare”, shkroi Salvini në Twitter.

Njëkohësisht ai falenderoi të gjithë kryebashkiakët italianë nga veriu në jug, pavarësisht kaheve politikë.

Të martën, shefja e Bankës Europiane, Christine Legarde, në një video-konferencë, kërkoi mendimin e ministrave të financës të Eurozonës, në lidhje me lëvrimin e një fondi për t’i ardhur në ndihmë Italisë dhe Spanjës për situatën e krijuar nga COVID-19, por edhe shteteve të tjera.

Gjermania dhe Holanda dolën kundër këtij plani, por edhe përfaqësuesit e shteteve të tjera nuk ishin shumë të bindur, përjashto këtu Italinë dhe Spanjën, dy vendet më të prekura.

Vendimi është komentuar edhe nga ministri italian i Industrisë, Stefano Patuanelli, i cili u shpreh: “Ata duan që të futemi në borxhe, në mënyrë që të na ndëshkojnë sërish”, ndërsa ministri i Jashtëm, Luigi Di Maio, tha se Europa duhet të jetë më e barabartë.

Kujtojmë se më herët Salvini akuzoi Kinën për krime kundër njerëzimit, për shkak të përhapjes së pandemisë së COVID-19.

Më tej ai shtoi, se Kina e raportoi shpërthimin e epidemisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, 3 javë me vonesë, si dhe duke mos treguar versionin e vërtetë të historisë.

Kina ndërkohë ka dërguar në Itali ekipe mjekësore, për të mbuluar emergjencat e krijuara mes bluzave të bardha për shkak të COVID-19.

Italia është shteti i parë në botë për numrin e viktimave me 9134, ndërsa numëron mbi 86 mijë të prekur.