Banori i Astirit nga burgu: Çështjen do ta çoj në Strasburg, këtu duhet të ishin Gjiknuri dhe Qendro
Protesta banorëve të Astirit padyshim që mund të quhet më jetëgjata dhe kjo për shkak të këmbënguljes që kanë treguar në mos ndërtimin e projektit të Unazës, i cila rrjedhimisht do të thotë shkatërrim të banesave të tyre. Nga burgu ka folur një nga të arrestuarit e protestës, Dorian Protoduari, i cili ka thënë se e di arsyen pse është pas hekurave.
Për Fax news, ai ka thënë se këtu nuk ka për të gjetur të drejtën e tij, kështu që ka për ta çuar çështjen deri në Strasburg, pasi është duke u mbajtur padrejtësisht në burg.
“Pres të hapet çështja në shkallën e parë dhe të rikthehet çështja. Deri në Strasburg do i shkoj çëshjes time, arrestimi ka qenë i paligjshëm, sikur isha kriminel, ndërkohë kapën vetëm Dorian Protoduarin që është vetëm një protestues”, thotë banori i Astirit.
Ai gjithashtu ka thënë se ka protestuar për banesën e fëmijëve të tij dhe se burgun që po bën duket të ishte duke e bërë Damian Gjiknuri dhe Afrim Qendro.
“Është banesa e dy fëmijëve të mi, Prokuroria nuk ka thirrur asnjëherë të Gjiknurin dhe Afrim Qendron, unë po bëj burgun e atyre. Ata i pret burgu se tjetër nuk ka. Duan të më mbyllin gojën. Çështja imë është politikë që në kohën e Enver Hoxhës. Nuk kanë asnjë provë kundër meje. Akuzohen vetëm si organizator proteste. S’do vdes në burg do e pagujë kush më mban brenda”, u shpreh, ku dukej i rënduar emocionalisht.