Skip to content
Të Gjitha

Atentatet e fundit në vend, jep dorëheqjen zv.drejtori i Policisë së Tiranës

· 1 min lexim

Ka dhënë dorëheqjen nga detyra Zv. drejtori për hetimin e Krimit në Drejtorinë e Policisë Vendore të Policisë së Tiranës Arsen Sinomati.

Sinomati e ka argumentuar vendimin e largimit me arsye personale, ndërsa mësohet se pas largimit nga posti nuk do të jetë më në radhët e Policisë së Shtetit, pasi më parë Sinomati ka mbajtur detyrën e shefit të Komisariatit numër 2 në kryeqytet.

Emri i Sinomatit është bërë i njohur pas një incidenti me bandën e Emiljano Shullazit, kreut të grupit kriminal që sot gjendet në burg. Sipas denoncimeve nga qytetarët, Sinomati u rrah nga Shullazi pse kreu kontroll në zonën ku banonte dhe vepronte grupi i Shullazit.

Ndërkohë ditën e djeshme drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu zhvilloi një takim me drejtuesit e Policisë së Tiranës dhe të Elbasanit ku paralajmëroi për largime nga detyra.

Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit në vendin tonë kanë ndodhur shumë ngjarje kriminale(përmendim këtu  vrasjen e  Bujar Celës, vëllait të të shumëkërkuarit, Talo Çela; atentati ndaj Preng Gjinit dhe vrasja e Klevis Kapllanit në Rrogozhinë.)