Tiranë – Një atentat me armë zjarri tronditi mbrëmjen e së enjtes zonën e Lundrës në periferi të Tiranës, ku katër persona mbetën të plagosur, mes tyre edhe dy fëmijë në gjendje të rëndë. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:50, dhe sipas Policisë, të plagosurit janë transportuar menjëherë në spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore.
Të lënduarit janë identifikuar si Arens Stafa, 34 vjeç, Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç, Dior Demiraj, 11 vjeç dhe Kian Mullaj, 19 vjeç. Stafa dhe Demiraj kanë marrë plagë në krahë dhe duar, ndërsa Dior dhe Mullaj ndodhen në sallën e operacionit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se viktimat janë fëmijët e drejtorit të kompanisë së sigurisë private “Pelican Security”, ndërsa Kian Mullaj është djali i Elona Mullajt, anëtare e bordit të korporatave në Raiffeisen Bank. Arens Stafa shërben si shofer i familjes Demiraj, e cila jeton në kompleksin rezidencial “Rolling Hills”.
Sipas hetimeve paraprake, autorët kanë ndjekur automjetin tip “Benz G-Class” që nga rrethrrotullimi i Shkozës deri në zonën e TEG-ut, duke qëlluar vazhdimisht mbi të. Pas atentatit, autorët janë larguar me një tjetër mjet që më pas u gjet i djegur në Lundër. Policia ka sekuestruar mbi 30 gëzhoja në vendin e ngjarjes dhe dyshohet se atentati është kryer nga tre persona: një drejtues mjeti dhe dy qitës.
Makina e përdorur në atentat rezulton në pronësi të një vajze 23-vjeçare. Ndërkohë, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Autoritetet kanë paralajmëruar se informacionet do të pasurohen në vijim, ndërsa gjendja e të plagosurve po monitorohet nga afër në spital.