Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion të rëndësishëm në Gjirin e Lalzit, ku janë arrestuar shtatë persona, disa prej të cilëve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe nga SPAK.
Mes tyre janë edhe emra me peshë si Xhevdet Plaku dhe Florenc Meçja, të cilët konsiderohen figura me rrezikshmëri të lartë dhe janë kapur në ambientet e një restoranti.
Gjatë aksionit janë sekuestruar shuma parash në euro dhe katër armë zjarri. Tre nga të arrestuarit ishin persona me profil të lartë kriminal dhe të armatosur.
Mes të ndaluarve janë:
• Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën “Akili”, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, i arratisur nga burgu i Ankonës në janar 2025, ku po vuante dënimin për trafikim droge. Gjatë kontrollit i është gjetur një pistoletë e ngarkuar.
• Florenc Meçja, i kërkuar nga SPAK për akuzat e organizatës kriminale, veprimeve të grupit të strukturuar kriminal dhe sigurimit të kushteve për vrasje. Meçja iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe një armë e ngarkuar.
• Voltan Xhani, i dyshuar për trafikun e mjeteve motorike dhe organizimin e një vrasjeje në Shkodër, i kapur me një armë zjarri të ngarkuar.
Në arrestime u përfshinë edhe: Jugert Xhani, vëllai i Voltanit, për akuzat e prodhimit dhe mbajtjes së armëve pa leje, moskallëzimit të krimit dhe përkrahjes së autorit të krimit, si dhe tre persona të tjerë me akuza për moskallëzim dhe përkrahje të autorëve.
Voltan Xhani është personi kryesor i dyshuar për organizimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit në Shkodër më 30 gusht 2024. Ai dhe familjarët e tij kanë lidhje kriminale në Belgjikë dhe dyshohet se vrasja ka lidhje me konflikte në trafikun e drogës. Një nga makinat e përdorura në këtë ngjarje u gjet e fshehur në një servis në Bërzhitë, ku dyshohet se Xhani ka organizuar trafikun e automjeteve të kontrabanduara.
Edhe Xhulio Malo, nipi i Xhanit, u arrestua me akuza për sigurimin e kushteve për vrasje dhe pengimin e zbardhjes së së vërtetës, ndërsa ndaj dy personave të tjerë janë shpallur në kërkim lidhur me këtë ngjarje.
Xhevdet Plaku, i konsideruar një nga figurat kryesore në rrjetet ndërkombëtare të trafikut të drogës, ka një histori kriminale të gjatë, me më shumë se 20 identitete të ndryshme dhe lidhje në Holandë, ku ka lëvizur sasi të mëdha kokainë. Ai ka qenë objekt i disa atentateve dhe ndodhej në kërkim ndërkombëtar pas arratisjes nga burgu në Itali.
Policia ka publikuar edhe pamjet e arrestimit të Plakut dhe bashkëpunëtorëve të tij gjatë operacionit në restorantin e Gjirit të Lalzit.


