Skip to content
Kronikë

Arrestohen 4 “skifterët” e biçikletave në Tiranë, momenti ku marrin mjetin nga trotuari (Video)

· 2 min lexim

Ditën e sotme në Tiranë 4 persona kanë rënë në pranga si rezultat i finalizimit të operacionit të koduar nga policia si “Pedals”.  Bëhet me dije se gjatë aksionit të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 janë arrestuar 4 persona që vidhnin biçikleta, si dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.  Theksojmë se janë arrestuar shtetasit Mateo Dedaj, Kevin Matraku, Eno Cenollari dhe Dejvid Lucaja, ndërsa gjatë kontrollit në banesat e tyre, gjenden dhe sekuestrohen 4 biçikleta të dyshuara të vjedhura.

Njoftimi i policisë së shtetit:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar në informacionet e marra në rrugë policore se disa shtetas vidhnin biçikleta në zona të ndryshme të Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Pedals”.

Si rezultat i këtij operacioni u ndaluan me iniciativë shtetasit:

  1. D., 20 vjeç, K. M., 19 vjeç, E. C., 18 vjeç dhe D. L., 20 vjeç, të katërt banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi M. M., 19 vjeç, banues në Berat.

Këta shtetas dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur disa biçikleta, në kohë dhe në vende të ndryshme.

Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 26.05.2022, në Rrugën e Dibrës, kanë vjedhur një biçikletë me vlerë 5000 euro.

Gjatë kontrolleve të banesave të këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 biçikleta të dyshuara të vjedhura.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.