Gjykata e Vlorës ka dhënë masat e sigurisë për katër personat e ndaluar pak ditë më parë në Orikum, të cilët akuzohen se ndihmuan në strehimin dhe mbështetjen e 42-vjeçarit Flodian Plaku, i arrestuar nga policia pas një operacioni të mirëkoordinuar.
Tre nga të ndaluarit janë lënë në masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa vetëm për një prej tyre u caktua “detyrim paraqitje”.
Sipas vendimit të gjykatës:
• Albano Lapshi, i dyshuar se i çonte ushqim të arratisurit në hotel, u la në arrest me burg;
• Ligor Doko, pronari i hotelit ku u strehua Plaku, gjithashtu në arrest me burg;
• Julian Aliaj, që u kap me armë zjarri me vete dhe rezulton i dënuar më parë për trafik droge, u la po ashtu në arrest me burg;
• Ndërsa Armando Dano, berber nga Shkodra, i cili dyshohet se shkonte në hotel për të qethur Plakun, u la në detyrim paraqitje.
Flodian Plaku u arrestua ndërsa fshihej në një hotel në Orikum, pas afro dy muajsh ndjekjeje nga strukturat e policisë. Në ditën e ndërhyrjes, efektivët kishin ndjekur gjithashtu lëvizjet e Lapshit dhe Danos që shkonin drejt hotelit.
Të dyshuarit u kapën në flagrancë, ndërsa ndihmonin në mënyra të ndryshme personin në kërkim.