Skip to content
Politikë

Apeli shqyrton sot ankimin e Veliajt për arrestin me burg

· 2 min lexim

Sot në Gjykatën e Apelit të Posaçëm do të zhvillohet seanca për shqyrtimin e ankimit të masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ai kërkon ndryshimin e masës së arrestit me burg, ndërsa seanca do të drejtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi dhe pritet të nisë në orën 10:00.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohen edhe ankimet e katër biznesmenëve të tjerë të përfshirë në këtë çështje: Elman Abule, i cili ndodhet në burg, si dhe Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi, të cilët janë nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt në zyrën e Bashkisë së Tiranës, nën dyshimin për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, kryer në bashkëpunim në nëntë raste, si dhe për pastrim të produkteve të veprës penale. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.

Sipas hetimeve të SPAK, Veliaj dhe bashkëshortja e tij dyshohet se kanë krijuar dhe zbatuar një skemë të organizuar për të përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike të Bashkisë së Tiranës, duke i kamufluar këto përfitime për pasurim personal dhe familjar.