Ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, ku gazetari Ilir Babaramo u largua nga puna në Report TV pas kritikave ndaj qeverisë, ka rikthyer në vëmendje akuza të tjera që lidhen me mënyrën e funksionimit të redaksive dhe raportet mes pronarëve të mediave dhe gazetarëve.
Sipas deklaratës publike të Babaramos, vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës i është komunikuar nga botuesi Carlo Bollino, i cili, sipas gazetarit, i ka thënë: “Nuk pranoj që të punosh për mua dhe të kritikosh qeverinë”. Ky zhvillim është interpretuar si një rast që ngre shqetësime për lirinë e fjalës dhe pavarësinë editoriale në vend.
Në këtë kontekst, gazetarja e SYRI TV, Ambrozia Meta, ka risjellë në vëmendje një episod të ndodhur vite më parë në redaksinë e Shqiptarja.com, media gjithashtu në pronësi të Bollinos, duke e lidhur drejtpërdrejt me situatën aktuale.
Në një postim në Facebook, Meta kujton përvojën e saj gjatë një praktike studentore dhe shprehet se ngjarja e fundit me shkarkimin e një gazetari i riktheu në mendje atë episod, duke theksuar se problematika nuk lidhet vetëm me lirinë e medias, por edhe me mentalitetin me të cilin, sipas saj, disa pronarë e shohin rolin e tyre.
Postimi i plotë:
Kur isha në vit të tretë të fakultetit, për shkak se ndiqja atelienë e shtypit të shkruar, pedagogu i diplomës më ofroi një praktikë 3-mujore pranë gazetës Shqiptarja.com.
Një pasdite, botuesi i gazetës hyri në redaksi dhe i përplasi me forcë gazetat e asaj dite mbi tavolinën e një gazetareje dhe pastaj, me fyerje e epitete, iu turr kryeredaktorit duke i bërtitur, sepse nuk i kishte dhënë hapësirën e duhur një lajmi që mediat e tjera e kishin trajtuar gjerësisht.
Kur u largua, duke tërsëllitur me shqipen e tij të çalë, kolegia që ishte në krahun tim ngriti gazetat që ai i kishte hedhur me përçmim dhe pa syzet e saj të thyera. Ishte momenti kur u betova që nuk do të punoja kurrë me atë botues, edhe sikur të lija përgjithmonë gazetarinë dhe të shisja rroba online.
M’u kujtua ky episod sot, kur pashë që i njëjti botues kishte bërë një kronikë shoqëruese për heqjen nga puna të një gazetari, duke argumentuar me sinkrone dhe efekte arsyet se përse e shkarkoi, për të thënë se ndonjëherë nuk është vetëm çështje e lirisë së medias, është mentaliteti me të cilin disa pronarë mediash mendojnë se të mbajnë shpirtin gjallë, mendojnë se kanë fatin tënd në dorë.
Të mjerë! Ju nuk keni asnjë imazh për të mbrojtur!
Rasti i shkarkimit të Babaramos dhe reagime të tilla si ai i Metës po nxisin debat mbi kufijtë e lirisë së medias dhe ndikimin që mund të kenë pronarët në vijën editoriale dhe fatin profesional të gazetarëve në Shqipëri.








