Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka shprehur shqetësim për sulmet ndaj sistemit gjyqësor dhe ndërhyrjet politike në drejtësi, duke theksuar se këto janë zhvillime që “nuk duhet të vazhdojnë”. Në një intervistë për Deutsche Welle, ai vlerësoi punën e SPAK si thelbësore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa e cilësoi këtë fazë të integrimit si një moment kritik për Shqipërinë.
Gonzato u shpreh se Shqipëria ka bërë “një përparim të jashtëzakonshëm” në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke kujtuar përfundimin me sukses të procesit të shqyrtimit dhe hapjen e të gjithë kapitujve të legjislacionit të BE brenda 18 muajsh. Megjithatë, ai theksoi se vendi ndodhet në një pikë kthese, ku duhet të dëshmojë progres të prekshëm në fushat që BE i konsideron “Themeloret”, si sundimi i ligjit, të drejtat themelore, konsolidimi i reformës në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe standardet demokratike.
Sipas tij, Komisioni Europian do të vlerësojë nëse masat e marra nga qeveria pasqyrojnë përparim real në këto fusha, përpara se shtetet anëtare të vendosin për mbylljen e kapitujve të negociatave. Ai theksoi se procesi duhet të zhvillohet me transparencë dhe përfshirje, pa cenuar debatin e hapur publik.
Në lidhje me fondet europiane, Gonzato vuri në dukje rëndësinë e menaxhimit transparent të rreth 100 milionë eurove të dedikuara për projekte të përfshirjes sociale dhe tranzicionin nga arsimi në tregun e punës. Ai theksoi se këto janë para të taksapaguesve europianë dhe duhet të administrohen me rigorozitet, sipas rregullave financiare të BE.
Sa i përket fondeve IPARD për bujqësinë, ambasadori tha se negociatat mes Brukselit dhe Tiranës vijojnë. Qeveria shqiptare ka angazhuar një auditor të jashtëm për të verifikuar përfituesit dhe rregullsinë e pagesave. Sipas tij, Bashkimi Europian mbetet i gatshëm të mbështesë fermerët shqiptarë, por kërkon garanci të plota për menaxhimin korrekt të fondeve. “Topi tani është ende në fushën e qeverisë shqiptare”, deklaroi ai.
Në lidhje me reformën në drejtësi, Gonzato e cilësoi SPAK-un si një institucion që po bën “një punë shumë, shumë të rëndësishme”, veçanërisht në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust për goditjen e rrjeteve kriminale që operojnë në Shqipëri dhe në vendet e BE. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është element kyç për vlerësimin e gatishmërisë së Shqipërisë për anëtarësim dhe nënvizoi se nuk sheh pengesa për hetimin e politikanëve të rangut të lartë.
Ambasadori shtoi se duhet bërë më shumë në aspektin parandalues, përfshirë zbatimin efektiv të masave si kriminalizimi i pastrimit të parave.
I pyetur për ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, që lidhen me pezullimin e zyrtarëve publikë nën hetim, Gonzato tha se BE po i ndjek nga afër këto zhvillime dhe pret që çdo nismë legjislative të jetë në përputhje me angazhimet për luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
Sa i përket deklaratave të politikanëve ndaj SPAK, ai u shpreh: “Nuk do të spekuloj për këtë”. Megjithatë, theksoi se BE ka shprehur vazhdimisht në raportet vjetore shqetësimin për sulmet ndaj gjyqësorit. “Ne kemi thënë se, në të vërtetë, gjyqësori dhe sistemi gjyqësor janë bërë më të qëndrueshëm ndaj këtyre sulmeve, edhe sepse është një sistem i pavarur. Por, megjithatë, mendojmë se këto sulme nga politikanët dhe ndërhyrja politike janë diçka që e shohim me shqetësim. Është diçka që nuk duhet të vazhdojë”, deklaroi ambasadori.
Gonzato përcolli një mesazh për klasën politike shqiptare, duke theksuar nevojën për bashkëpunim konstruktiv mes shumicës dhe opozitës dhe për udhëheqje me shembull, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në funksion të përparimit të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.








