Një ngjarje tragjike është shënuar këtë të enjte në fshatin Qungur të Pejës, ku një përplasje mes një veture dhe një katërçiklete ka përfunduar me një viktimë.
Aksidenti ndodhi rreth orës 14:00, në rrugën lokale pranë zonës së Bllagajës. Policia e Kosovës njoftoi se në katërçikletë ndodheshin dy persona, njëri prej të cilëve ndërroi jetë në vendngjarje. Viktima, sipas mediave të Kosovës, dyshohet të jetë vëllai i personazhit të njohur Gjestit, megjithatë identiteti i plotë nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.
Personi tjetër që ndodhej në katërçikletë ka marrë lëndime dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku po merr trajtim mjekësor.
“Mjeku që ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e njërit prej tyre, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për trajtim urgjent në emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Njësia e hetimeve të aksidenteve, nën drejtimin e prokurorit të rastit, ka nisur procedurat për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të këtij aksidenti fatal.