Li Jianhong, kryetar dhe president i Xinjiang Grand Scape Group, ka humbur jetën në një aksident automobilistik në Shqipëri gjatë një udhëtimi pune, sipas raportimeve të mediave kineze.
Ngjarja ndodhi të hënën në rrugën nacionale Librazhd Elbasan, pranë zonës së Xibrakës. Sipas të dhënave, 60 vjeçari ndërroi jetë në vend, ndërsa gjashtë persona të tjerë mbetën të plagosur. Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin 26 vjeçar të automjetit tjetër, i dyshuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Li Jianhong konsiderohej një nga sipërmarrësit më të njohur në rajonin e Xinjiangut dhe ishte themelues i resortit të skive Silkroad Mountain Resort në Urumqi. Kompania që ai drejtonte operon në sektorët e telekomunikacionit, turizmit dhe investimeve, me asete totale rreth 1.4 miliardë juanë, afërsisht 205 milionë dollarë. Ajo ka rreth 2,500 të punësuar dhe ka regjistruar të ardhura miliardëshe në vitet e fundit.
Përveç aktivitetit në biznes, Li ishte i njohur edhe si alpinist dhe aventurier. Ai kishte përfunduar “Explorer’s Grand Slam”, duke ngjitur shtatë majat më të larta të botës, përfshirë Mount Everest dhe K2, si dhe kishte arritur në të dy polet e Tokës.
Autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.








