Skip to content
Rajoni

6 muaj pas pandemisë, Kosova llogarit mbi 1 miliard euro humbje

· 2 min lexim

Që prej fillimit të pandemisë, kanë kaluar më shumë se 6 muaj, por humbjet e bizneseve në Kosovë llogariten në mbi 1 miliard euro. Diçka e tillë është alarmuese për drejtuesit e shtetit. Kryetari i Dhomës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, shprehet se nëse nuk ndërhyhet, kolapsi do të jetë i pashmangshëm, që do pasojë në mbyllje të vendeve të punës dhe falimentim të bizneseve.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane,  Arian Zeka, shprehet se moskalimi i ligjit për rimëkëmbjen ekonomike në Kuvend, është për të ardhur keq. Zeka kritikon deputetët e Kosovës, të cilët sipas tij më shumë kanë qëndruar pushim se kanë qenë në punë.

Projektligji

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën 385 milionë euro. Ky projektligj synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, të ndihmojë bizneset pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Deputetët dështojnë në rimëkëmbjen ekonomike

Në mungesë të kuorumit, deputetët e Kosovës sërish kanë dështuar të miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19. Në seancë morën pjesë në votim vetëm 41 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur në seancën e radhës.

/Burimi: Monitor.al/GazetaReforma.com/