582 vjet nga Besëlidhja e Lezhës, dita e bashkimit shqiptar

Më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, u mbajt një nga kuvendet më të rëndësishme në historinë mesjetare shqiptare, i njohur si Besëlidhja e Lezhës ose Lidhja Shqiptare e Lezhës. Kjo ngjarje shënoi bashkimin e principatave shqiptare nën drejtimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut për t’u përballur me Perandorinë Osmane.
Kuvendi u mblodh menjëherë pas kthimit të Skënderbeut në Krujë, me synimin për të bashkuar forcat e princërve shqiptarë kundër rrezikut osman. Në të morën pjesë përfaqësues të principatave nga veriu në jug, ndër ta Gjergj Arianiti, Andrea Topia, Teodor Korona Muzaka, Gjergj Stres Balsha, Pal dhe Nikollë Dukagjini, Lek Zaharia Altisferi, Pjetër Spani, Lek Dushmani dhe Stefan Çernojeviçi. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Republikës së Venedikut në rolin e vëzhguesve.
Në këtë kuvend, princërit vendosën që komandant i përgjithshëm i Lidhjes të ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak. Besëlidhja parashikonte krijimin e një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm, si dhe ngritjen e një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Ushtria përbëhej nga repartet e bujarëve shqiptarë dhe Garda personale e Skënderbeut, ndërsa princërit u zotuan të kontribuonin me ushtarë, ushqime dhe të ardhura për mbrojtjen kundër Sulltan Muratit të Dytë.
Lidhja e Lezhës funksiononte si një aleancë politike dhe ushtarake, ku vendimet merreshin me shumicë vote, duke respektuar sundimin e secilit fisnik në zotërimet e tij. Sipas marrëveshjes, armiqësitë për çështje pronësie do të ndaleshin ose do t’i paraqiteshin kuvendit për zgjidhje me vendim të përbashkët. Forcat ushtarake të princërve u vunë nën komandën e Skënderbeut dhe do të përdoreshin vetëm kundër ushtrive që kërcënonin anëtarët e Lidhjes.
Pas këtij bashkimi, Skënderbeu drejtoi për 25 vite rezistencën kundër pushtimit osman. Besëlidhja i dha jetë një organizimi të përqendruar shtetëror, duke shënuar një hap të rëndësishëm në traditën shtetformuese shqiptare në mesjetë.
Zgjedhja e Lezhës si vend mbledhjeje, qytet që nuk ishte kryeqendër e ndonjë principate shqiptare, shmangu rivalitetet mes princërve dhe forcoi idenë e barazisë mes tyre. Ky veprim konsiderohet një hap diplomatik i menduar, duke pasur parasysh edhe rolin që Venediku mund të luante si faktor mbështetës në Evropë.
Besëlidhja e Lezhës mbetet një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare. Më 2 mars 1444 u hodhën themelet e një bashkimi që, katër shekuj më vonë, frymëzoi edhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe besëlidhje të tjera kombëtare, të mbështetura në traditën shqiptare të organizimit dhe mbijetesës në rrethana historike të vështira.
Read next
Natë tmerri në Vlorë/ Hoteli përfshihet nga flakët, pushuesit hidhen nga ballkonet! 6 të lënduar, një vajzë me djegie në thuajse 100% të trupit
Një natë pushimesh është kthyer në makth në Lungomaren e Vlorës, ku një zjarr i fuqishëm ka përfshirë…
Protestë në Rrogozhinë kundër reformës territoriale: Nuk duam bashkim me Kavajën
Banorët e Rrogozhinës kanë protestuar këtë të premte kundër ndryshimeve të propozuara në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale, duke…
Gazeta zvicerane: Rama kontrollon bumin e ndërtimeve, “Albanian Files” shihet si aktakuzë ndaj tij
Gazeta zvicerane Tages-Anzeiger i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve në Shqipëri, duke u ndalur te projekti në Zvërnec, bumi…
“Tigrat” rrinë fikur, fatura nuk ndalet: KESH hap tenderin 23 mln dollarë pas qindra milionëve të shpenzuara
Dy TEC-et lundruese të ankoruara në Vlorë, të njohura si “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, vazhdojnë të prodhojnë…