Skip to content
Të Gjitha

500 mijë euro brenda autobusit në portin e Durrësit, zbardhen detajet

· 2 min lexim

Ditën e sotme Policia ka kapur në Portin e Durrësit 500 mijë euro brenda një autobusi që po vinte nga Italia.

Bëhet e ditur se autobusi mbërriti nga qyteti i Barit dhe gjatë kontrollit të policisë kufitare janë gjetur paratë e fshehura në pako të ndryshme brenda strukturës metalike të autobusit.

Konkretisht paratë ishin të fshehura në 6 qese plasmasi, të cilat u evidentuan si pasojë e kontrollit me detaje nga Policia e Shtetit.

Theksojmë se ende nuk dihet se kujt i përkasin këto para.

Njoftimi i policisë: 

Durrës/Informacion paraprak.

Në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës.

Si rezultat i informacioneve dhe kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plasmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro.

Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.

Në përfundim të veprimeve do të japim informacion të plotë.