Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtorë pesë ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës për shkelje të barazisë në tendera publikë, në kuadër të hetimeve të nisura nga SPAK për procedurën e rikonstruksionit të sheshit të parkimit pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, në tetor 2019.
Eglantina Zere, ish-drejtore e “Tirana Parking”, është dënuar me 1 vit burg, por përfitoi ulje dënimi në kuadër të gjykimit të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 8 muaj heqje lirie, dënim që do të vuhet pa pezullim.
Ndërkohë, Enkeljda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha dhe Kristo Zhulati, të cilët kishin detyra përkatëse në komisionin e vlerësimit të ofertave dhe njësinë e prokurimit, u dënuan secili me nga 9 muaj burg. Duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, dënimi i tyre përfundimtar është 6 muaj heqje lirie.
SPAK kishte kërkuar shpalljen fajtor të pesë zyrtarëve, duke argumentuar se procedura e tenderit ishte manipuluar në favor të bashkimit të operatorëve “V.A.S Konstruksion” dhe “Rroku Guest”. Sipas hetimeve, ofertat nuk ishin verifikuar nga komisioni i ligjshëm, por nga punonjës të shoqërisë private “5D Konstruksion”, me interesa në tender.
Gjykata pranoi plotësisht kërkesat e SPAK, duke rrëzuar pretendimet e të pandehurve për pafajësi dhe duke mos lejuar pezullimin e dënimeve.