Rrugica që lidh bulevardin “Epidamn” me portën mesjetare të Durrësit është sot thuajse e boshatisur. Prej 15 vitesh, banorët jetojnë në pasiguri për fatin e shtëpive të tyre, ndërsa projekti TID ka rikthyer tensionet dhe përplasjet me institucionet.
“Tre-katër familje që ishin në krye të rrugicës, i kompensuan siç duhet dhe ata ikën që në vitin 2015. Kurse ne të tjerët? Me ne të tjerët, vetëm një zot e di se çfarë do të bëhet,” tha banori Pask Simaku.
Projekti, që synon lirimin e zonës pranë amfiteatrit pas tërmetit të vitit 2019, kundërshtohet prej muajsh nga dhjetëra banorë për shkak të kompensimit dhe mungesës së transparencës. Sipas urbanistes Entela Koja, ai është ndërtuar mbi shkelje të ligjeve urbanistike.
“Kundërshtimi ynë nuk është çështje numrash, por çështje ligjesh të shkelura në vite,” tha ajo, duke shtuar se çështja tashmë po ndiqet në rrugë ligjore.
Arkitekti Artan Kacani thekson se mungon një marrëveshje mes bashkisë dhe banorëve, ndërsa projekti, sipas tij, parashikon kryesisht prishje pa një plan të qartë menaxhimi apo buxhet për gërmime arkeologjike.
“Ne duam një projekt të shëndetshëm, një projekt vlerësimi të trashëgimisë kulturore të lagjes Kala,” u shpreh ai.
Ndryshimet e fundit në TID përfshijnë rreth 110 banesa, nga zona e amfiteatrit deri te “Veliera”, të cilat pritet të prishen me faza. Banorët paralajmërojnë se nuk do të ndalen vetëm te protestat.
“Para një muaji, miqve të mi iu sollën shkresat për prishje. Nuk kanë harruar, mund ta bëjnë edhe në sezon turistik,” tha Flamur Bala.
Përveç protestave, ata po ndjekin tashmë edhe rrugën ligjore, duke kërkuar të ndalojnë projektin dhe të mbrojnë pronat e tyre.








