11.4 mln euro nga Shqipëria te pronari i Iute në Estoni/ Kompania ul fitimin, shteti merr më pak taksa, Tatimet heshtin

11.4 milionë euro në vetëm një vit. Kaq i pagoi Iute Albania kompanisë së saj mëmë në Estoni gjatë vitit të kaluar, për shërbime menaxhimi, garanci dhe interesa. Shifra është gati trefishuar në pesë vjet dhe ngre një pyetje thelbësore: kemi të bëjmë me kosto normale biznesi apo me një mekanizëm që zhvendos fitimin nga Shqipëria drejt një vendi me regjim tatimor më të favorshëm?
Të dhënat e bilancit zyrtar të kompanisë tregojnë se Iute në Shqipëri regjistroi rreth 1.1 miliardë lekë, ose 11.4 milionë euro, shpenzime ndaj kompanisë mëmë në Estoni.
Nga kjo shumë, 605.5 milionë lekë shkuan për shërbime menaxhimi, 219 milionë lekë për shërbime garancie, ndërsa 274.3 milionë lekë të tjera ishin interesa që kompania shqiptare i pagoi pronarit estonez për borxhin.
Pikërisht këtu hyn në lojë transfer pricing, ose çmimi i aplikuar në transaksionet mes kompanive të lidhura.
Një kompani mund të blejë ligjërisht shërbime nga kompania mëmë apo nga kompani të tjera të të njëjtit grup. Problemi lind kur duhet përcaktuar nëse çmimet e këtyre shërbimeve janë reale dhe në përputhje me tregun, apo nëse përdoren për të zhvendosur fitimin nga një shtet në tjetrin.
Dhe diferenca mes Shqipërisë dhe Estonisë e bën këtë çështje veçanërisht të ndjeshme.
Në Shqipëri, tatimi mbi fitimin është 15%. Estonia aplikon një sistem tjetër tatimor për kompanitë, ku fitimet e pashpërndara nuk tatohen në momentin kur krijohen. Kjo diferencë krijon hapësirë për atë që njihet si arbitrazh tatimor: zhvendosjen e fitimeve drejt juridiksionit ku barra tatimore është më e favorshme.
Në rastin e Iute, shifrat ngrenë pikërisht këtë pikëpyetje.
Vetëm për menaxhim dhe garanci, Iute Albania regjistroi rreth 824 milionë lekë, ose afro 8.5 milionë euro, shpenzime ndaj kompanisë mëmë në Estoni.
Kjo shumë është pothuajse dyfishi i të gjithë fitimit neto prej 421 milionë lekësh që kompania raportoi në Shqipëri.
Mekanizmi është i thjeshtë për t’u kuptuar: sa më të larta të jenë shpenzimet e njohura në Shqipëri, aq më i ulët mbetet fitimi mbi të cilin llogaritet tatimi këtu.
Vëmendjen e tërheq veçanërisht fatura e menaxhimit.
Iute Albania regjistroi 605.5 milionë lekë, rreth 6.3 milionë euro, vetëm për shërbime menaxhimi nga kompania mëmë. Përmasat e këtij zëri bëhen edhe më domethënëse kur shihet ecuria ndër vite.
Në vitin 2020, shërbimet e menaxhimit kushtonin rreth 184 milionë lekë. Vitin e kaluar arritën në mbi 605 milionë lekë. Pra, në vetëm pesë vjet, kjo faturë është më shumë se trefishuar.
I njëjti trend shfaqet edhe në totalin e pagesave ndaj kompanisë mëmë. Në vitin 2020, Iute Albania shpenzonte rreth 3.96 milionë euro në vit ndaj mëmës në Estoni. Vitin e kaluar shifra arriti në 11.4 milionë euro.
Këto shifra nuk provojnë vetvetiu se transaksionet janë të paligjshme apo se çmimet janë manipuluar. Por përmasat dhe rritja e tyre ngrenë një çështje që kërkon kontroll: çfarë shërbimesh konkrete menaxhimi mori Iute Albania për 6.3 milionë euro dhe a është kjo faturë në përputhje me çmimet që do të aplikoheshin mes dy kompanive të pavarura?
Pikërisht për këtë ekzistojnë rregullat e transfer pricing.
Administrata Tatimore ka të drejtë të kontrollojë transaksionet mes palëve të lidhura dhe të verifikojë nëse ato janë kryer sipas kushteve të tregut. Nëse një shpenzim ndaj një kompanie të lidhur është artificialisht më i lartë se vlera reale e shërbimit, ai mund të ndikojë drejtpërdrejt te fitimi i tatueshëm dhe, rrjedhimisht, te taksat që mbeten në Shqipëri.
Në rastin e Iute, shifrat janë të mëdha: 11.4 milionë euro pagesa ndaj mëmës në një vit, 8.5 milionë euro vetëm për menaxhim dhe garanci dhe një faturë menaxhimi që është më shumë se trefishuar që nga viti 2020.
Nëse këto janë kosto të zakonshme dhe të justifikuara, dokumentacioni i kompanisë duhet ta provojë këtë. Nëse jo, atëherë kemi një çështje që prek drejtpërdrejt bazën e tatueshme në Shqipëri.
Dhe pikërisht këtu pyetja nuk është më vetëm se sa para Iute dërgon në Estoni, por nëse Tatimet shqiptare kanë kontrolluar se për çfarë po paguhen këto miliona dhe nëse çmimet e faturuara janë realisht çmime tregu.