“Rregullorja censuron median”/ Gazetarët çojnë GJKKO-në në Kushtetuese, kërkojnë pezullimin dhe shfuqizimin

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka çuar në Gjykatën Kushtetuese rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke kërkuar fillimisht pezullimin dhe më pas shpalljen si antikushtetuese të dispozitave që prekin punën e medias dhe gazetarëve.
AGSH argumenton se kufizimet e vendosura nga GJKKO cenojnë drejtpërdrejt lirinë e medias, të drejtën e informimit dhe mundësinë e gazetarëve për t’i përcjellë publikut atë që ndodh brenda Gjykatës së Posaçme.
Në hyrje të Gjykatës Kushtetuese, kreu i AGSH-së, Isa Myzyraj, shprehu gjithashtu zhgënjimin për mungesën e dialogut me GJKKO-në, duke deklaruar se pavarësisht thirrjeve të gazetarëve për konsultim, Gjykata nuk krijoi asnjë urë komunikimi me ta.
“Kemi paraqitur kërkesën për të pezulluar rregulloren e GJKKO-së, dhe më pas për ta shpallur atë antikushtetuese. Jemi të bindur që ajo rregullore cenon lirinë e medias dhe të drejtën e gazetarëve për t’i përcjellë publikut atë çfarë ndodh brenda GJKKO-së. Rregullore censuruese ndaj mediave. Shpreh zhgënjimin ndaj GJKKO-së, ku pavarësisht thirrjeve tona për një dialog, tryezë diskutimi, GJKKO nuk ka marrë mundimin të kontaktojë gazetarët ose të krijojë ura komunikimi që kjo rregullore të bëhet më e mirë për lirinë e shprehjes.
Ankimi duhet bazuar në Kushtetutën e Republikës. Pika kryesore që kemi ngritur është prekja e lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit, janë dy nga shtyllat kryesore të demokracisë. Ne kemi saktësuar në padinë prej 127 faqesh të gjitha shqetësimet tona, përfshirë aksesin në drejtësi të medias dhe qytetarëve. Formularët për të aksesuar një grup WhatsApp janë absurde dhe të pakuptimta. Është në dorën e 8 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse ka shkelje kushtetuese dhe deri ku shkon”, tha Myzyraj.
Rregullorja e re e GJKKO-së hyri në fuqi më 1 shtator dhe solli një sërë kufizimesh për mënyrën se si mediat mund të raportojnë nga ambientet e Gjykatës së Posaçme.
Ndryshimet kufizojnë numrin e përfaqësuesve të mediave që mund të ndjekin një seancë gjyqësore, heqin praktikën e deritanishme të filmimit të minutave të para të seancave dhe ndalojnë filmimin në korridoret e gjykatës. Gazetarët duhet gjithashtu të paraqesin një kërkesë me shkrim të paktën 24 orë përpara për të marrë pjesë në një seancë.
Rregullorja përcakton edhe kufizime për përdorimin e pajisjeve elektronike në sallat e gjyqit. Në të parashikohet se prokurorët, të pandehurit, viktimat dhe avokatët që marrin pjesë në një seancë mund të mbajnë dhe përdorin laptopë për ushtrimin e funksioneve të tyre procedurale, për sa kohë përdorimi nuk cenon rendin, solemnitetin apo zhvillimin e rregullt të seancës.
Tashmë përplasja për rregulloren e GJKKO-së kalon në Gjykatën Kushtetuese, së cilës AGSH i kërkon të vlerësojë nëse kufizimet e vendosura ndaj gazetarëve bien ndesh me garancitë kushtetuese për lirinë e shprehjes dhe të drejtën e informimit.