Skip to content
Kryesore

Goditi me grusht protestuesin e shoqëruar, pezullohet polici i “Shqiponjave”

· 3 min lexim

Një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” është pezulluar menjëherë nga detyra, pasi u filmua duke goditur me grusht në bark një protestues që ishte shoqëruar dhe ndodhej nën kontrollin e punonjësve të policisë.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në Rrugën e Durrësit, gjatë ndërhyrjes së policisë ndaj një grupi protestuesish që tentuan të bllokonin qarkullimin në ditën e parë të shkollës.

Protestuesit u mblodhën rreth orës 07:00 në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Zogut të Zi, në një orar kur qarkullimi në kryeqytet ishte veçanërisht i rënduar. Policia ndërhyri për të shmangur bllokimin e rrugëve, shoqëroi disa prej pjesëmarrësve dhe shpërndau grupin.

Por gjatë shoqërimeve, një efektiv i “Shqiponjave” goditi me grusht në bark një prej protestuesve të shoqëruar. Momenti u filmua dhe videoja u publikua në rrjetet sociale.

Pas publikimit të pamjeve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorit J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.

Hita urdhëroi gjithashtu Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë hetimin disiplinor ndaj efektivit për “përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit:

“Paraditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pas publikimit në rrjetet sociale, të një videoje ku shfaqet një punonjës policie, i cili godet me grusht një shtetas të shoqëruar gjatë tubimit të sotëm në Rrugën e Durrësit, Tiranë, pezulloi menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë, inspektor J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi.

Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës dhe do të vijojë të reagojë me vendosmëri ndaj çdo shkeljeje nga punonjësit e saj”, njoftoi Policia e Shtetit.

Ngjarja vjen një ditë pas protestës së zhvilluar në Tiranë, pas së cilës policia njoftoi se kishte nisur procedim penal ndaj 20 pjesëmarrësve, mes tyre 7 vajza dhe gra.