1 milion kg shtesa në bulmet, AKU nuk di sa janë hedhur në produktet që konsumojmë

Rreth 1 milion kilogramë shtesa ushqimore janë përdorur nga industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), institucioni përgjegjës për kontrollin e sigurisë ushqimore, nuk konfirmon dot se çfarë sasie është hedhur në produktet që përfundojnë në tryezat e qytetarëve.
Nga viti 2025 deri në tetor të vitit 2026, baxhot dhe fabrikat e qumështit kanë përdorur afërsisht 1 milion kilogramë përbërës shtesë, përfshirë proteina, kazeinë, Lactomin 35, VPC 35, Rileprot 4A, Textion dhe Progek 800. Këta përbërës përdoren në prodhimin e djathit, gjizës, kosit dhe nënprodukteve të tjera të qumështit që tregtohen në marketet shqiptare.
Por problemi më shqetësues nuk është vetëm përdorimi i këtyre përbërësve. Është mungesa e informacionit të plotë mbi sasitë e përdorura dhe gjurmueshmërinë e tyre, pikërisht aty ku AKU duhet të garantojë kontrollin.
Sipas të dhënave të AKU-së, shtesat janë përdorur nga 12 subjekte, të cilat i deklarojnë në etiketat e produkteve. Megjithatë, vetë institucioni nuk konfirmon sasitë konkrete të hedhura në qumësht apo djathë.
Kjo ngre një pyetje thelbësore: Si mund të garantohet kontrolli i një produkti ushqimor kur autoriteti përgjegjës nuk jep të dhëna të plota për përbërjen dhe sasitë e përdorura në të?
Mungesa e këtyre të dhënave shton shqetësimet edhe për mundësinë që përbërës të tillë të përdoren nga subjekte të tjera pa u deklaruar në etiketa. Në këtë mënyrë, konsumatori mund të paguajë për një produkt që beson se është përgatitur kryesisht nga qumështi, pa pasur informacion të plotë mbi përbërjen e tij.
Pedagogia e Universitetit Bujqësor të Tiranës, Lumturi Papa, shpjegon se shtimi i proteinave dhe kazeinës ndikon drejtpërdrejt në procesin e prodhimit.
“Për shembull, për djathin përdoren për të rritur konsistencën e djathit, futen tek kosi për të rritur viskozitetin e kosit, që të mos ndahet në nivel, ose futen në qumësht për të përmirësuar nivelin e qumështit”, u shpreh ajo.
Përdorimi i kazeinës së shtuar mund t’u mundësojë fabrikave të prodhojnë më shumë djathë me më pak qumësht, duke ulur kostot e prodhimit. Për industrinë kjo përbën një përfitim ekonomik, por për konsumatorin lind çështja e transparencës: a e di ai çfarë po blen dhe a pasqyron çmimi përbërjen reale të produktit?
Ndërsa industria mund të përfitojë duke përdorur më pak qumësht, qytetarët mbeten pa informacion të plotë mbi sasitë e përbërësve shtesë në produktet që konsumojnë.
Ekspertja Lumturi Papa paralajmëron se përdorimi i sasive të mëdha të proteinave, i shoqëruar me mungesën e gjurmueshmërisë, ngre shqetësime serioze për sigurinë ushqimore.
“Nuk gjejmë asnjë produkt blegtoral ku të etiketohet nga cila zonë ka ardhur dhe me çfarë sistemi janë mbajtur kafshët. Për sa kohë nuk kemi gjurmueshmëri, pikëpyetjet janë të shumta nëse janë të sigurta apo jo”.
Deklarata e saj nxjerr në pah një problem që shkon përtej aditivëve: pamundësinë për të ndjekur qartë origjinën dhe zinxhirin e prodhimit të ushqimeve që tregtohen në vend.
Përdorimi i përbërësve proteinikë nuk nënkupton automatikisht se një produkt është i rrezikshëm. Megjithatë, siguria e tyre kërkon kontroll të përbërjes, sasive, origjinës dhe përputhshmërisë me standardet ushqimore.
Pikërisht për këto kontrolle ekziston AKU. Institucioni duhet të bëjë të qartë jo vetëm cilat subjekte përdorin shtesa ushqimore, por edhe në çfarë sasish, në cilat produkte dhe nëse deklarimet në etiketa përputhen me përmbajtjen reale.
Një milion kilogramë shtesa ushqimore dhe mungesa e të dhënave të plota për përdorimin e tyre nuk mund të trajtohen thjesht si çështje dokumentacioni. Bëhet fjalë për ushqimet që qytetarët blejnë dhe konsumojnë çdo ditë.
AKU duhet të japë përgjigje konkrete: sa kontrolle janë kryer, sa analiza laboratorike janë realizuar, cilat kanë qenë rezultatet dhe çfarë masash janë marrë për të garantuar gjurmueshmërinë e produkteve?
Pa këto përgjigje, transparenca mbetet e paplotë dhe qytetarët nuk kanë mundësi të vlerësojnë nëse produktet që blejnë janë kontrolluar sipas standardeve të kërkuara.
Siguria ushqimore nuk garantohet me deklarime të përgjithshme. Ajo kërkon analiza, gjurmueshmëri dhe llogaridhënie nga institucioni që paguhet për të mbrojtur konsumatorin.