Shkallët e Tetarit të Kalasë në qytetin e Elbasanit, kanë mbledhur sot shkrimtarë, studiues, poetë , njerëz të njohur të letrave nga e gjithë Shqipëria.
Pjesmarrja e tyre ishte për ti uruar suksese dhe mbështetje autores Flutura Açka dhe ekipit të Partisë Demokratike në këtë qark, në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit.
Njerëz të njohur të letrave shprehën vlerësimin për kandidaten e PD, Flutura Açka.
“Njerëz me përvojë të jashtëzakonshme i duhen shoqërisë, i duhen atij parlamenti që nuk e di se çfarë bën”, tha mes të tjerash studiuesi Behar Gjoka.
Flutura Açka u shpreh e emocionuar nga fjalët dhe mbështetja. Ajo tha se kur shkruan për Elbasanin është gjithnjë e vërtetë.
Pjesë nga diskutimet:
“Na ka përfaqësuar gjithë këtë kohë me shkrimet e veta, me letërsinë e vet, na ka përfaqësuar edhe politikisht. Flutura Açka nuk fshihet, nuk është nga ato gra që fshihen. Me këto cilësi unë i besoj Flutura Açkës se do të jetë një avokate e shkrimtareve. Një tjetër gjë për të treguar vlerësimin që kemi për Fluturën, çka unë bashkë me Izetin, botojmë një revistë, Flutura Açka deri më sot është një nga ato që e kemi nxjerrë në kopertinë të revistës. Siç e ka emrin Flutura, unë shpresoj të jetë flutur për shpresat e shumë njerëzve dhe nuk kërkoj asgjë më shumë se nesër të mos fshihet dhe të mos ketë frikë. Urime, Flutura!”, – tha shkrimtari Rexhep Shahu.
“Të them të drejtën njerëz të lirë si Flutura, njerëz të ditur si Flutura, njerëz me përvojë të jashtëzakonshme i duhen shoqërisë, i duhen atij parlamenti që nuk e di se çfarë bën”, – tha studiuesi Behar Gjoka.
“Ne të gjithë kemi nevojë për Fluturën, njerëz të pastër kështu si Flutura nuk kanë nevojë për mbështeje, por kanë nevojë për përhapje dhe ta thotë fjalën, se është një person që flet në parlament si askush tjetër. Kështu që, Fluturën e shoh që sot atje, për ne të gjithë. Nuk ka grua, nuk ka njeri, nuk ka qënie njerëzore që të luftojë në ato mënyra të drejta, të pastra, me integritet dhe t’ia dalë mbanë të fitojë si Flutura Açka. Unë e mbështes fort për shumë arsye, dhe për herë të parë në jetën time, në mbështetjet politike që kam bërë, vij ballëlart. Kështu që Flutur të uroj shumë suksese, jo vetëm për ty këtu, por edhe për vetën tonë”, – u shpreh Adriatike Lami.
“Flutura nuk është kot këtu, është sepse Elbasani ka një traditë të madhe patriotike dhe kulturore dhe emërtimi, emri i saj në listën e një partie siç është PD, është një nder shumë i madh. Unë uroj që atë kapërcim të fortë shpirtëror dhe atë forcë që ka gjetur Flutura për ta bërë veten një individ tek e cila ne besojmë se do të na përfaqësojë në parlament, të realizohet me nje mandat që do ta marrë dhe me një portret që do të shohim në parlament, i cili do të pasqyrojë bukurinë e zonjës, intelektuales, shkrimtares, të njeriut me aq shumë virtyte saç është Flutura. Flutura të uroj shumë suksese!”,- tha hulumtuesi dhe diplomati Mal Berisha.
“Flutura ka pasur dhe ka cilësi njerëzore dhe aftësi për të marrë përsipër përgjegjësi që pak burra dhe gra në atdheun tonë i marrin, ndërsa ju qytetarët e Elbasanit, duke dërguar Fluturën në Parlament, do t’i jepni një mesazh të mrekullueshëm shqiptarëve. Shqipëria mund të qeveriset edhe pa cuba, mund të qeveriset me gra dhe burra të talentuar”, – tha poeti Arbër Ahmetaj.
“Është fat për Elbasanin, fat për njerëzit, që ajo do të jetë e tillë, gjithmonë vetvetja dhe gjithmonë në krah të njerëzve”, – u shpreh shkrimtari Izet Duraku.
“Flutura është një emblemë e Elbasanit për demokraci, prandaj, kam shume besim se do ta çojë fjalën tonë atje”, – tha pedagogu Astrit Bishqemi.
Flutura Açka u shpreh e emocionuar nga fjalët dhe mbështetja. Ajo tha se kur shkruan për Elbasanin është gjithnjë e vërtetë.
“Kur mbarova romanin ‘Ku je’, është një roman i gjatë, ndër romanet e mia më të vështirë, e pranoj, sepse ka të bëjë me vitet ‘80, me vite shumë të vështira, jo vetëm të miat. Unë isha në fillimet e shkollës së mesme, gjatë shkollës së mesme në ato vite… dhe kur e mbarova ia dhashë korrektores time. Kur e mbaroi më telefonoi në mes te natës dhe më tha: Flutura, ai Artur Hobja, cili është ai njeri?… Ishte fjala për personazhin. I thashë: Dorina, ai njeri nuk ekziston, ai është krijesë e imja, është karakter, është personazh. Me tha: Unë kujtova se është i vërtetë, se kishte jetuar ai. I thashë: Dorina, ti pa dashje më ke bërë një kompliment kaq të madh, të marrësh një kompliment kur mbyll ti librin, kjo ishte ngjarja më e bukur që mund të më ndodhte, që të thuash për një personazh se ka qënë i vërtetë, do të thotë që kur shkruaj për Elbasanin jam tërësisht, pafundësisht e vërtetë”, – tha Açka.