Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së hënës fshatin Paçram në Vaun e Dejës, ku është vrarë me armë zjarri 65-vjeçari Frrok Lleshaj.
Ai është qëlluar për vdekje vetëm pak metra larg banesës së tij, rreth orës 20:00, ndërsa trupi i pajetë u gjet një orë më vonë nga një banor i zonës, i cili njoftoi më pas familjarët dhe Policinë.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se viktima është qëlluar me armë me silenciator, pasi fqinjët nuk kanë dëgjuar të shtëna. Policia ka nisur hetimet dhe pista kryesore mbi të cilën po përqendrohet është ajo e gjakmarrjes.
Frrok Lleshaj kishte një histori të gjatë përplasjesh me dy familje të tjera, konflikte të nisura që nga fillimi i viteve ’90, të cilat deri më sot kanë shkaktuar pesë viktima.
Viktima e fundit është i treti nga familja Lleshaj që ekzekutohet, pas djalit dhe vëllait të tij, ndërsa viktima të tjera janë edhe kushëriri i tij, Dodë Lleshaj, dhe një shtetas nga Puka.
Ngjarjet e përgjakshme datojnë që nga viti 1991, kur djali i Frrok Lleshajt u vra në Greqi. Edhe pse zyrtarisht u raportua se ishte vrarë nga policia greke në rrethana të paqarta, familja Lleshaj dyshonte se pas ngjarjes qëndronin të afërm të tyre.
Pak vite më pas, dyshohet se Frroku vrau kushëririn e tij Dodë Lleshaj për të marrë hakun e të birit, megjithëse nuk e pranoi kurrë autorësinë.
Një tjetër konflikt u regjistrua më pas me një familje nga Puka, ku Frroku vrau një tjetër person. Për këtë vrasje ai u arrestua, e pranoi fajin në gjykatë dhe u dënua me 25 vite burg. Ai u lirua në vitin 2023, pasi kishte vuajtur 21 vite të dënimit.
Policia ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por ende nuk ka ndaluar asnjë të dyshuar.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht vrasjen, duke mos përjashtuar as pista të tjera përveç gjakmarrjes.