Vrasja në mënyrë makabre e Endri Mustafës, duket se po merr një rrjedhë tjetër, sipas familjarëve. Ka qenë bashkëshortja e Endri Mustafës ajo që ka hedhur poshtë edhe akuzat e policisë se krimin mund ta ketë kryer Ibrahim Lici, duke u shprehur se me familjen Lici kanë raporte shumë të mira. Në një deklaratë për mediat Ingrid Mustafa pranon ndër të tjera se Endri ishte i shpallur në kërkim policor dhe se ai ishte shumë i kujdesshëm dhe nuk i besonte askujt, prandaj edhe dalja e tij në pritë është kryer nga një i njohur, konkretisht i mituri i arrestuar nga Policia, E. Malja.
“Ata janë komshinjtë tanë, burri im ka qenë shok me djemtë e tij, kam dhënë deklarata në Polici, dhe u kam thënë që nuk kanë asnjë lidhje me burrin tem. Ne jemi 100% të sigurtë që kjo nuk ka ndodhur për shkak të djalit të tij. Endri ka dalë në 10 të darkës, më kërkoi një kapuç, dhe më tha se do të shkonte deri në Livadhe, më tha se nuk do të vonohej. Ky djali kishte ardhur që në mesditë, e kishte kërkuar disa herë, i thashë që të mos merrej me atë fëmijë.
Nuk ia vuri veshin, e anashkaloi se çfarë mund ti bënte, ka ikur në 10 të darkës dhe nuk kemi marrë asnjë lajm më. Nuk ka pasur konflikt me kërkënd, as ka pasur kërcënime, ky erdhi për qejf, nuk e di se për çfarë e ka nxjerrë jashtë 15 vjeçari prej shtëpie Endrin. Burri është shprehur se ”nuk po të shkruaj mesazhe, por ti më del po të çova një figurë të kalit”, dikush fshihet pas tij. Nuk ka lidhje me Licajt, nuk i kanë bërë gjë ata, kemi shkuar shumë mirë, kanë pasur raste dhe na e kanë hapur derën kur kemi pasur nevojë.
Nuk e di nëse arma është e tij, pasi nga shtëpia ka dalë pa armë, më ka thënë që do të vinte shpejt, ne kërkojmë që ta gjejnë se kush e ka vrarë. Ata thojnë dhe që e kanë dhunuar, herë thonë që edhe e kanë vrarë, ky i ka dalë dikujt që i ka besuar. Burri im nuk i besonte askujt pa e ditur se kush është, edhe sikur të vinte në prag të shtëpisë.
Kishte që në Tetor që djali i mitur nuk vinte në shtëpinë tonë, ka ardhur ditën e Bajramit, por nuk ka pasur asgjë të përbashkët me burrin tim. Endri ka qenë në kërkim, kishte ardhur që të takonte fëmijët dhe i ndodhi kjo.”