Një atentat me armë zjarri tronditi mesditën e djeshme qytetin bregdetar të Vlorës. Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti, tip BMW, ku po udhëtonte shtetasi i identifikuar si Bledar Birçaj. Krimi ka ndodhur në zonën e quajtur “Bishti i Kalldrëmit”, ndërsa policia në një njoftim zyrtar thotë se krimi ka ndodhur në rrethana të paqarta.
Njoftimi i Policisë: – “Në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip” BMË” me drejtues shtetasin B. B rreth 40 vjeç ,i cili si pasojë e plagëve të marra është transportuar në spitalin e Vlorës, ku dhe ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet nē vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shërbimet e Policisë të D.V.P. Vlorë, të Komisariatit të Policisë Vlorë po krehin zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit.”
Në momentin e vrasjes, Birçaj ka qenë i shoqëruar me një shokun e tij, polic i antidrogës Granit Deromema, tek zona e njohur si Bishti i Kalldrëmit për të shkuar në qytet. Deromema dëshmoi: “Ishim të papërgatitur, na bënë pritë. Ramë direkt pre e breshërisë së kallashnikovit. Pashë dy veta me maska, por nuk i njoha dot. Ishin të kamufluar. Nuk jam në dijeni të ndonjë konflikti të fundit. Jam i tronditur, mendova se më kapën edhe mua plumbat”, tha shoqëruesi i Bledar Birçajt.
Por nuk ka qenë vetëm 1 pasagjer në makinën e Birçaj gjatë momentit të atentatit. Gazeta Reforma ka mësuar se përveç Deromemës, ka qenë dhe një person tjetër në sendiljen mbrapa, po ashtu i armatosur. Dy atentatorët u larguan me një mjet tip “BENZ” pas ekzekutimit dhe një polic, i ka ndjekur me motor. Ky i fundit, ka lënë motorin e tij kur vrasësit i kanë drejtuar armët.
Duhet medoemos një raport më i gjërë e më i detajuar i Policisë në lidhje me këtë ngjarje, për personat pasagjerë në “BMW”, si dhe për policin që është tërhequr. Pas raportit të detajuar të Policisë, më pas të merret SHÇBA.