Qeveria ka vendosur të rrisë të gjitha taksat. Diçka e tillë dallohet nëse vëren strategjinë afatmesme të të ardhurave për vitet 2024-2027, ku në këto taksa parashikohet edhe taksimi i biznesit të vogël, taksim që sipas ekspertëve të Ministrisë, do të bëhet në bazë të një sistemi të ri taksimi për këto biznese. Kështu nëse bizneset e vogla menduan se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk do të tatoheshin më, nuk i kanë bërë llogaritë mirë. Ky vendim për taksimin e biznesit të vogël, sipas Ministrisë së Financave, vjen pasi 89.6% e totalit të bizneseve që operojnë në Shqipëri deklarojnë të ardhura deri në 14 milion lekë.
“Për bizneset e vogla është më oportune dizenjimi i një sistemi të thjeshtë tatimi mbi të ardhurat dhe shpenzimet e supozuara, duke përdorur një shkallë të pranueshme të tatimit për ta dhe njëkohësisht duke u lejuar zbritje të tjera, të cilat ulin më tej normën efektive të tatimit”, thuhet në dokumentin e strategjisë së të ardhurave.
Ministria thotë se taksimi i biznesit të vogël sjell:
- kufizimin e trajtimit të diferencuar brenda regjimit të përgjithshëm të tatimeve direkte;
- parandalimin e krijimit të hapësirave për abuzime me deklarimin;
- ofrimin e neutralitetit nga këndvështrimi i ngarkesës tatimore për të gjitha format e biznesit;
- uljen e kostove të pajtueshmërisë për tatimpaguesit e vegjël;
- reduktimin e kostove të administrimit dhe kontrollit të deklaratave të tatimpaguesve të vegjël nga administrata tatimore.
Gjithashtu do të ndryshohet taksimi për pasuritë e patundshme, pasi nga vlerësimet paraprake, “vërehet se disa përjashtime duhet të eleminohen, si dhe ka hapësirë që të mund të rritet edhe norma e taksës së pronës.
“Rishikimi i përjashtimeve nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Duke qenë se të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të pushtetit vendor, është e nevojshme që përjashtimet të mbahen në nivele minimale dhe ndërkohë, lehtësirat tatimore për grupet vulnerabël duhet të ofrohen nëpërmjet mekanizmave dhe formave të tjera.
Rishikimi në rritje i tarifës së taksës. Aktualisht, taksa mbi pasuritë e paluajtshme në Shqipëri kontribon në masën 0.3% të PBB-së, ndërkohë që të ardhurat mesatare që gjenerohen nga taksa e pronës në vendet e tjera të rajonit janë rreth 0.8% e PBB-së”, thuhet në dokument.
Një tjetër ndryshim që do të bëhet dhe do të ndikojë te bizneset është edhe përjashtimi nga mospagimi i taksave për disa biznese. Sipas Ministrisë së Financave. “Sektorët prioritarë do të duhet të mbështeten qartësisht përmes transfertave direkte nga buxheti, në mënyrë që të jenë më të lehta për t’u monitoruar, ndërkohë që eliminimi i përjashtimeve nga pagimi i taksave, nuk cënon integritetin e sistemit tatimor”.
Ndërkohë, qeveria ka qëllim të zgjerojë bazën e deklarimit të të ardhurave personale, duke e ulur pragun përjashtues në 1.2 milion lekë në vit, nga 2 milionë që është aktualisht.
Ja çfarë thuhet në strategjinë Ministrisë:
Zgjerimi i bazës së deklarimit të të ardhurave personale globale, duke ulur pragun përjashtues nga 2 milion lekë në vit në 1.2 milion lekë në vit, është masë pozitive për nxitjen e pajtueshmërisë vullnetare dhe deklarimin e të ardhurave. Ulja e pragut të deklarimit nga 2 në 1.2 milion lekë në vit, merr në konsideratë:
- kapacitetet teknike për pranimin dhe përpunimin e shtesës së deklaratave nga ato që përpunohen aktualisht;
- nevojat shtesë në burime njerëzore për mbikqyrje dhe auditim;
- kostot e pajtimit për qytetarët;
- efektet reale pozitive në rritjen e të ardhurave që do të ketë një ndërmarrje e tillë në kushtet kur për pjesën dërrmuese të të ardhurave tatimi mbahet në burim nga paguesi i të ardhurave.
Gjithashtu individi do të detyrohet të dorëzojë pranë administratës tatimore deklaratën DIVA edhe në rastet kur të ardhurat tatimore vjetore të individit janë më shumë se 50.000 lekë e çdo të ardhure tjetër që nuk i nënshtrohen tatimit përfundimtar në burim.
Ndërkohë, qeveria ka qëllim të rrisë edhe pagën minimale për efekt të kontributeve dhe për efekt të tatimit mbi pagën, duke synuar njehsimin e tyre në të ardhmen.
Pra, nga viti i ardhshëm do të jenë mijëra biznese që do të paguajnë më shumë taksa, kryesisht bizneset e vogla, që me sa duket, kryeministri Rama po u bëhet makth, për shkak se premtoi që do ta kishin taksën 0 deri në vitin 2029 dhe më pas nxori ligjin për t’i tatuar.
Pas vendimit të Kushtetueses, Rama premtoi sërish disa ditë më parë se do ta mbante 0 taksën e profesionistëve të lirë deri në vitin 2029, por plani i tij paska qenë ndryshe nga deklaratat në publik.
Mos të harrojmë që vitin e ardhshëm janë edhe zgjedhjet parlamentare, ndaj do të duhen miliona euro më shumë për fushatat, partitë, e ndoshta edhe për patronazhistët.