Kryeministri Edi Rama siç paralajmëroi ka nisur nga Shkodra turin e falenderimeve për rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit, ku PS mori 54 bashki të vendit. Rama pohoi se Shkodra ishte sfida më e madhe për Partinë Socialiste në këto zgjedhje.
Po ashtu mes batutave, kryeministri shtoi se Benet Beci, kryetari i ri i bashkisë së Shkodrës, mbetet demokrat.
“Kam ardhur 9 herë për të bërë fushatë. Në 8 fushatat e mëparshme e kam ndjerë se mëndja e shumicës ishte e mbyllur, nuk ishte hapësirë për të lënë aty mesazhin. Veshët ishin të mbyllura, mendja po ashtu, zemra rrihte vetëm djathtas. Ndaj në mënyrë të përsëritur vota shkoi vetëm në një drejtim. Këtë herë është e kombinuar. Ata që na kanë votuar, na kanë votuar me zemër, ndërsa pjesa që bëri diferencën, që na votuan tani, kanë votuar me mendje. Këtë investim se kanë bërë vetëm socialistët, por dhe një pjesë që nuk janë të tillë. Ndaj ta kthejmë në një investim, ose në një shlyerje borxhi që duhet të ketë parasysh këtë fakt. Që nga mënyra se si Beneti do të qeverisë vetë bashkinë. I kam thënë sot që Bashkia e Shkodrës, do të jetë bashkia e të gjithëve. Këtë duhet ta reflektojë, jo thjesht në faktin se investimet bëhen për të gjithë, por duhet të reflektojë faktin jo thjesht në faktin se investimet dhe shërbimet jepen për të gjithë. Por duhet vlerësim i të gjithë atyre burimeve njerëzore që janë aty dhe në bazë të meritës që ata përfaqësojnë, duhen ndarë të njomët me të thatët. Duhen ndarë ata që mund të jenë aty për arsye se kanë votuar PD, se i kanë përkitur asaj partie, por që janë dhe njerëz të zotë. Ata nuk duhet të preken! Pjesa tjetër, duhet t’i lëri vendin të tjerëve që janë po aq të zotë. Në bashkinë e Shkodrës, janë të gjithë të përfaqësuar.
Këtu të sollën në pushtet socialistët, por mos harro se je demokrat. Unë besoj, s’e vë dorën në zjarr, por Beneti ka votuar për veten dhe PS. Ndërkohë që e vë dorën në zjarr, kur ishte në listën e deputetit ka votuar për PD. Kur ishte drejtor i Fondit vinte çdo javë te zyra ime. Por te ajo kutia atje… Kjo do të shërbejë që të kesh një mundësi për herën tjetër. kam ftuar këtu që të vijnë disa nga ministrat, pasi ne duhet dhe nuk mund ta refuzojmë këtë sfidë dhe s’mund ta shohim këtë fitore se; fituam dhe kaq. Kjo është një fitore e veçantë dhe kërkon vëmendje të veçantë. Nga një anë na është dhënë një besim i madh dhe nga ana tjetër nuk është çështja e Shkodrës, dhe shkodranëve, por e gjithë Shqipërisë. Shkodra është fuqi e fjetur dhe duhet ta zgjojmë këtë potencial. Për të mirën në radhë të parë dhe në funksion të Shqipërisë. Është zona më e bekuar e Shqipërisë. Ne nuk mund t’i bëjmë të gjitha në 4 vite, por ndryshime që i bën njerëzit në Shkodër që të jenë krenar jo vetëm për historinë siç janë sot, por dhe kur dikush vjen. Do e presin në një shtëpi të pastër, jo në një shtëpi ku të mbyt papastërtia dhe futesh në një rrëmujë të madhe. Kur po vinim, pamë kazanët atje në qendër, në orën 15:00, në diell, plehrat kishin dalë si zakonisht jashtë kazanëve. Kjo është një gjë që nuk e sheh në asnjë qytet të Shqipërisë. Kjo është pamja kur kam gjetur kur kam marrë drejtimin e Tiranës si kryebashkiak. Vajta me Benetin dhe të tjerët, te Muzeu i krimeve të komunizmit. Mu duk sikur hyra në një dyqan ku nuk kishte karta telefonike. Ai muze mund ta bënin vetëm komunistët. I mbushur me pankarta, një tmerr. Ishte shtruar sikur hyjë në banjat e një stadiumi. Do e transformojmë.”, tha Rama.