Një nga kontrollorët e trafikut ajror, i cili u la i lirë pas disa orë shoqërimi tha se i kishin sekuestruar telefonin. Kontrollori Pirro Lako, u shpreh se ndodhej në polici prej orës 23:00 të ditës së djeshme, ku kishte plotësuar një deklaratë për veprimet e kryera.
“Thjesht na bënë pyetje, plotësuam një deklaratë për veprimet tona, pse deklaruam paaftësinë. Mua më bënë pyetje të thjeshta, thjesht më kanë mbajtur telefonin, nuk e di pse. Nuk e di a kanë të drejtë ta hapin telefonin dhe ta mbajnë, por aty jemi pambrojtur”, u shpreh kontrollori. Më pas ai tha se kishte firmosur edhe një deklaratë dhe një procesverbal për telefonin.
Deklarata e avokatit të kontrollorëve:
“Shpërdorim detyrë është vepër penale që i referohet punonjësve publikë, që do të thotë se duhet të jesh punonjës i administratës publike. Në rastin e kontrollorëve të trafikut ajror, nuk e di se cili është arsyetimi që bën prokuroria për ta futur në elementë të veprës penale të shpërdorimit të detyrës. “AlbControll” është SH.A, aq më tepër që sipas të gjitha deklaratave është një etnitet i pavarur nga shteti shqiptar dhe nuk shoh të jetë funksion publik mbi të cilin të ngrihet kjo akuzë”, u shpreh avokati.