Një 33-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij në Sarandë ditën e sotme. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.4 të Sarandës rreth orës 14:30. Ai është gjetur i pajetë në shtratin e tij nga familjarët, ndërsa dyshimet e para të policisë janë se 33-vjeçari Rades Musai ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Nga këqyrja paraprake që i është bërë trupit, nuk janë konstatuar shenja dhune. Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë dhe grupi hetimor që është duke punuar për sqarimin e rrethanave të humbjes së jetës të 33-vjeçarit.
Ndër të tjera mësohet se viktima ka pasur disa precedentë të mëparshëm penalë. Ndërkohë, trupi i tij është dërguar në spitalin “Petro Nako” të Sarandës ku do t’i nënshtrohet autopsisë për të zbuluar shkaqet e vdekjes.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Sarandë/ Informacion paraprak
Sot, rreth orës 14:30, në lagjen nr.4, Sarandë, është gjetur në banesë nga familjarët, pa shenja jete shtetasi R. M., 33 vjeç, i cili nga të dhënat e para dyshohet se ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.
Nga kqyrja paraprake e trupit të tij, nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.