Studiuesi Taulant Muka ka akuzuar publikisht drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa, për plagjiaturë në një artikull shkencor dhe në doktoraturën e tij.
Igli Tafa u emërua në krye të AKSHI-t më 13 shkurt 2026, pas shkarkimit të Mirlinda Karçanajt, e cila ndodhet në arrest shtëpie dhe nën hetim nga SPAK për çështje që lidhen me tenderat e institucionit. Më herët, Tafa ka drejtuar Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike.
Sipas Mukës, artikulli i Tafës i vitit 2011 me titull “A Survey of QoS Routing Protocols for Ad Hoc Networks” është kopjuar fjalë për fjalë nga studime të autorëve nga Malajzia dhe India. Ai pretendon se përmbajtja përputhet me punime të viteve 2008 dhe 2009.
“Artikulli shkencor i vitit 2011 i Igli Tafës, drejtorit të ri të AKSHI, është kopjuar fjalë për fjalë (copy–paste) nga studime të publikuara më herët në Malajzi dhe Indi… Si mund të drejtohet një institucion kaq kritik nga dikush me një precedent të tillë?”, shkruan Muka.
Në një reagim tjetër, Muka akuzon edhe doktoraturën e Tafës, të mbrojtur në vitin 2013 në Universitetin Politeknik të Tiranës. Sipas tij, kapituj të tërë janë marrë nga leksionet e profesoreshës rumune Dana Petcu të vitit 2009.








