Detaje të reja kanë dalë lidhur me hetimin ndaj ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.
Hetimet kanë zbuluar se Çyrbja ka komunikuar përmes aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” me persona të shpallur në kërkim, duke shkëmbyer informacion të lidhur me dokumente dhe akte që përbëjnë sekret shtetëror.
Në bisedat e zbuluara nga dosja hetimore, Çyrbja dyshohet se ka dhënë informacione sekrete për Besmir Huqin dhe Besnik Budllën.
Ish-deputeti akuzohet për tre vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror”.
Ndër komunikimet e zbuluara, ai bisedon me Besmir Huqin, ku ky i fundit i kërkon informacion lidhur me një person të kërkuar, dhe me Besnik Budllën, ku diskutohet për lëvizjet e forcave të rendit. Një tjetër bisedë, me Altin Hajrin, tregon se Çyrbja është i angazhuar për të ndihmuar në marrjen e 3 mijë votave në Shijak, duke premtuar gjithsej 4 mijë vota për këtë zonë.
Në një nga bisedat, Çyrbja i thotë Hajrit se ata kanë “blinduar” Shijakun, ndërsa në një tjetër bisedë përmendet se do të marrin votat e zonave të caktuara, duke përfshirë disa individë dhe grupe që përmenden si mbështetës për këtë qëllim.