Numri i të prekurve me COVID-19 në Elbasan është rritur sërish mbrëmjen e sotme dhe nga 5 që ishte numri, shkoi në 8 raste.
Sipas ABC News rastet e reja janë nga e njëjta familje: nëna 52-vjeçare dhe 2 vajzat e saj 25 dhe 22 vjeç.
Raportohet se 52-vjeçarja e infektuar është punonjëse e një banke të nivelit të dytë dhe banka ka në staf prej 23 punonjësish.
Ata iu nënshtruan tamponëve pasditen e së martës, teksa përgjigjia e mbërritur këtë mbrëmje tregoi se tre prej tyre janë pozitive.
3 rastet më të reja të prekura nga infeksioni dyshohet se rreth datës 14 mars kanë patur kontakt me presona të tjerë të konfirmuar pozitiv, por nga ana tjetër nuk dihet se me sa persona ato kanë patur kontakte dhe sa mund të kenë infektuar.
Kështu, ka shkuar në 262 numri i të prekurve nga COVID-19 në Shqipëri, teksa deri tani janë regjistruar 15 viktima.
Më herët ditën e sotme ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dha një deklaratë për mediat, ku foli edhe rreth përfitimit të ndihmës ekonomike, duke theksuar se aplikimi do të realizohet online ose përmes shërbimit postar.
Ajo gjithashtu sqaroi qytetarët se do përfitojnë dyfishim të masës së ndihmës ekonomike rreth 64 mijë familje.
Manastirliu: 64 mijë familje do të përfitojnë nga ndihma ekonomike. Ja si do bëhet shpërndarja
Ditën e sotme Shqipëria u fut në karantinë pa afat, pasi qeveria vendosi që të gjitha institucionet arsimore (përfshirë edhe çerdhet), do të qëndrojnë mbyllur deri në përfundimin e gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga COVID-19.
Ndërkohë mësimi për të gjithë nxënësit vijon online, ndërsa ministrja Besa Shahini deklaroi dje se provimet e Maturës Shtetërore nuk do të shtyhen por maturantëve do t’u bëhet favorizim, duke mos u pyetur në provim lidhur me leksionet që kanë marrë që nga koha kur janë izoluar në shtëpi.
Po ashtu edhe klinikat dentare do të jenë të mbyllura pas 3 prillit kurse spitalet publike dhe jopublike nuk do lejojnë të kryejnë operacione kirurgjikale.
Nuk do të lejohen grumbullimet masive në ambientet të hapura dhe të mbylluar kurse Komisionet e vlerësimit të KEMP-it nuk funksionojnë por qytetarët që nuk kanë mundësi të paraqiten do të vijojnë të marrin pagën e paaftësisë për punë.