Drejtoresha e spitalit të Krujës, Yllka Sheta ka nxjerrë shifrat e të helmuarve në qytet dhe rrethina. Në një prononcim për mediat, ajo u shpreh se mes 500 të helmuarve, 150 janë fëmijë dhe adoleshentë. Po ashtu ajo ka bërë me dije edhe simptomat me të cilat janë paraqitur në spital të gjithë pacientët.
Fjala e drejtoreshës:
“Simptomat janë dhimbje barku, diarre, të vjella, dhimbje koke dhe raste të rralla me temperaturë. Nuk kemi pasur raste të rënda, kanë marrë shërbimin dhe janë larguar. Aktualisht janë tre pacientë në urgjencë. Nga fillimi deri më sot (e diel- e enjte) janë rreth 500 persona, prej tyre 150 fëmijë dhe 350 të rritur. Këtu s’ka pasur fluks here tjetër Numri 30 ka qenë i mëngjesit të ditës së hënë në momentin që kemi marrë informacion në mbledhjen e mëngjesit kemi komunikuar për 30 raste të dyshuar sepse nuk është hera e parë që njerëzit paraqiten me intoksikim, që të mendosh se është i përhapur. Ditën e hënë në mëngjes kemi komunikuar me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për të informuar për këto raste. Spitali edhe pse i dëmtuar nga tërmeti nuk është i padisponueshëm, spitali i ka të gjitha shtretërit në dispozicion të kësaj gjëje që ndodhi. Të gjitha ambientet janë në dispozicion. Desha të shtoj se shërbimi nuk i ka munguar askujt. Gjej rastin të falenderoj personelin që kanë ndenjur në këmbë 24 orë, pretendimet se spitali i Krujës nuk ka dhënë shërbim nuk qëndron sepse ata që e thonë, thjesht nuk e dinë si funksion urgjenca,”-tha Sheta.